Musliu: AKI ka përfunduar auditimin e brendshëm njëvjeçar, janë duke u përpiluar raportet
Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, në një mbledhje të mbyllur për media.
Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu është deklaruar pas kësaj mbledhje, dhe ka thënë se Shala pritet që të ftohet prapë në javën e parë të korrikut të raportojë para komisionit.
Musliu ka thënë se Shala si inspektor i përgjithshëm mbulon tri fusha në AKI, të cilat janë inspektimi i brendshëm, auditimi dhe hetimi, dhe për këto tri fusha sot raportoi pranë komisionit.
Kryetarja tregoi se sot janë njoftuar që ende nuk kanë përfunduar auditimet e brendshme në AKI, prandaj Shala do të ftohet prapë për raportim.
“U dakorduam që zotëri Shalën ta ftojmë edhe një herë në javën e parë të korrikut pasi ende nuk kanë përmbyllur raportet e Auditimit, që është raport njëvjeçar” – tha Musliu.
“Sot ka pasur të raportojë për periudhën një vjeçare, qershor 2022-qershor 2023 dhe janë në fazën përfundimtare të përpilimit të raporteve, pastaj do të flasim konkretisht për të gjeturat dhe rekomandimet që kanë dalë nga raportet” – shtoi tutje ajo.
Kryetarja e komisionit parlamentar gjithashtu tha se auditimi i AKI-së bëhet direkt nga inspektori, pasi në AKI nuk lejohet të ketë auditor të jashtëm.
Para se të fillojë mbledhja, Musliu njoftoi se kjo është hera e parë që inspektori i përgjithshëm Shala raporton para komisionit që nga marrja e detyrës.
Shala mori këtë pozitë më 21 dhjetor të 2022-ës, deri në atë kohë ai kishte shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
AKI-së, Shala iu bashkëngjit pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Burim Ramadani.
Ramadani kishte shërbyer në AKI që nga 2019-a.