Murali i ri në Mitrovicë të Veriut, 14.09.2025- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Murali për rock-kitaristin amerikan në Mitrovicë të Veriut, Satriani: Ndihem i nderuar

Rock-kitaristi amerikan, Joe Satriani u lartësua në një nga muralet në Mitrovicë të Veriut.

Veprën e artit të krijuar nga “Futja ngjyrë” e të mundësuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut e komentoi vetë rok-kitaristi në rrjetin social “Facebook” duke u shprehur i mahnitur.

“Jam shumë i përulur dhe i nderuar nga ky krijim i mrekullueshëm artistik! Shumë dashuri dhe falënderime nga zemra për artistët e Futja Ngjyrë, Dea Gaxha, Bardhyl Dobroshi dhe Albion Mehmedi, për realizimin e këtij murali mahnitës në Mitrovicën e Veriut, Kosovë. Do të doja shumë të isha aty për ta parë nga afër dhe për t’ju përqafuar të gjithëve fort. Ju faleminderit”- shkroi ai.

Para pesë ditësh, KALLXO.com solli pamje të muralit të ri në këtë qytet ku ende ishte në proces.

Në muralin e ndërtesës në rrugën “Kolashini” më parë ishin të vendosura grafitet e mbishkrimet serbe.

Ndërkaq në gusht të këtij viti u bë ngjyrosja e tyre nga Komuna, me ç’rast ato grafite ishin mbuluar me ngjyrë të kaltër.

Mbishkrime në gjuhën serbe, murali i të dënuarit për krime lufte, Radko Mlladiq, kryqe e harta janë ngjyrosur mëngjesin e datës 24.08.2025, në Zveçan e Mitrovicë të Veriut.