Mungon gjyqtari, shtyhet seanca ndaj noterit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj noterit Sinan Visoka, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Deri tek dështimi i seancës, sipas kryetares së trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni, erdhi për shkak të mungesës së gjyqtarit Alban Ajvazi për arsye familjare.

Noteri Sinan Visoka akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij, duke e përpiluar një aktvendim përmes të cilit i ka dhënë të drejtë në trashëgimi Lirim Mustafës, pa qenë prezent trashëgimtarët e tjerë ligjorë.

Sipas këtij vendimi të noterit, Lirim Mustafës i është njohur e drejta në trashëgimi duke ua pamundësuar këtë të drejtë përfaqësuesve të tjerë ligjorë.

Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit, ishin marrë vesh paraprakisht në mes vete.

Prokuroria pretendon se deri tek kjo ndarje e pasurisë kishte ardhur pasi Lirim Mustafa kishte bërë paraqitje të rreme dhe nuk i kishte informuar trashëgimtarët e tjerë ligjorë.

Në aktakuzë thuhet se noteri Visoka më pas e kishte përpiluar aktvendimin për ndarje të trashëgimisë.

Përmes këtij vendimi Visoka e kishte shpallur trashëgimtar të pronës, me sipërfaqe prej 993 metra katrorë, të pandehurin Lirim Mustafa dhe përmes këtij vendimi e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Podujevës dhe prona kishte kaluar në emër të të pandehurit Lirim Mustafa.