MPMS pagoi mbi 1 milion euro pensione të dyfishta për personat e njëjtë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2020 ka kryer pagesa në vlerë prej 1 milion e 88 mijë e 40 euro për përfitues të cilët gëzojnë më shumë se një pension.

Zyra Kombëtare e Audimit në raportin për MPMS-në ka gjetur se rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas Auditorit, pagesat e pensioneve të dyfishta për personat e njëjtë janë në kundërshtim me ligjin dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit.

Burimi: ZKA

Sipas ZKA-së, këto pagesa ministria i kishte kryer edhe vitin e kaluar bazuar në vendimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të datës 28 dhjetor 2018.

Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe ish-pjesëtarët e TMK-së deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale.

Burimi: ZKM

Krahasuar me vitin e kaluar, siç thuhet në raport, ka një rritje të lehtë të shumës së këtyre pagesave.

Mos-harmonizimi i legjislacionit për skemat pensionale dhe vazhdimi i pagesës së pensioneve të dyfishta edhe gjatë vitit 2020, thuhet se ka ndodhur për shkak se menaxhmenti nuk kishte inicuar procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale shkaku i rrethanave të pandemisë dhe shpërndarjes së ministrisë.

ZKA në raport mes tjerash ka përmendur edhe se si është e rregulluar ligjerisht çështja e pensioneve.

Sipas raportit, Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, rregullon pensionet bazë të moshës, pensionet kontribut pagues të moshës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet e parakohshme, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

Sipas nenit 16 të këtij ligji, personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave të përcaktuara me këtë ligj në asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen nga shteti.

Ndërsa Auditori tutje thekson se sipas Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre – neni 5.1.4 përfituesit e pensioneve familjare, invalidor personal dhe invalidor familjar nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë.

“Sipas ligjit Nr.04/L-261 për Veteranët e UÇK-së neni 16 pika 2, Veteranët e UÇK-së nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të financuara nga shteti . Nëse veterani është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti duhet të përcaktohet se cilin pension do ta marrë”, sqaron ZKA-ja.

Auditori ka theksuar se sipas Ligjit për pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, neni 5.3 përfituesit që kanë të drejtë në pensionin e FSK-së duhet të zgjedhin njërin nga përfitimet: pensionin që u takon me këtë ligj, apo përfitimet tjera që parashihen me ligjet tjera në fuqi.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të iniciojë menjëherë procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale duke shfrytëzuar mekanizmat ligjor te organet përkatëse të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për të bërë interpretime dhe vlerësime të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore.

Ministria është pajtuar me këtë gjetje të Auditorit.