Euro, foto: Pixabay

Komuna e Fushë Kosovës kishte angazhuar 160 punonjës jashtë listës së pagave në vitin 2022

Zyra Kombëtare e Auditimit ka  gjetur se Komuna e Fushë Kosovës në vitin 2022 kishte angazhuar 160 punonjës jashtë listës së pagave, pasi komuna kishte tejkaluar numrin e aprovuar të pozitave të punës.

Këta punonjës kishin pozita të rregullta në arsimin fillor, si dhe për zëvendësimin e punonjësve të arsimit, e të cilët ishin punësuar sipas procedurave që kërkohen me Ligjin për zyrtarë publikë.

Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak se në arsim është shtuar numri i paraleleve më shumë se sa ishin në planin për regjistrimin e nxënësve në klasat e 10-ta për vitin shkollor 2021/2022, mungesa me arsye të mësimdhënësve dhe pushimet e lehonisë. Më tutje thuhet se mungesa e zyrtarëve në listën e pagave është për shkak se është tejkaluar numri i lejuar sipas Ligjit të buxhetit.

Mospërfshirja e punëtorëve në listën e pagave, sipas ZKA-së ndikon në rritjen e obligimeve të papaguara dhe vonesat e pagesave rrisin rrezikun e shpenzimeve shtesë përmes procedurave gjyqësore/përmbarimore.

“Kryetari duhet që para shtimit të numrit të paraleleve të sigurohet se ka në dispozicion buxhet të mjaftueshëm për çdo pozitë për rekrutim dhe ka vende të lira për përfshirjen e tyre në listën e pagave” – thuhet në rekomandimin e Auditorit për të parin e Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Rregulla financiare e MF-së e parasheh që organizata buxhetore duhet të sigurojë që të gjithë personat në marrëdhënie pune të paguhen përmes listës së pagave. Po ashtu, Ligji mbi ndarjet buxhetore nuk mund të tejkalojë numrin e të punësuarve në nivel të nën-programit, në asnjë kohë gjatë vitit fiskal 2022, përveç  lehonive në sistemin shkollor parauniversitar.

Me këtë gjetje është pajtuar edhe menaxhmenti i Komunës së Fushë Kosovës.

Në raportin e vitit 2021, Komuna e Fushë Kosovës ka marrë 18 rekomandime. Deri në fund të auditimit në vitin 2022, nëntë rekomandime janë zbatuar, nëntë nuk janë zbatuar.