Barrikada zubin potok

Barrikada në Zubin Potok, Foto:KALLXO.com

Mos lejoni që të ndodhë destabilizimi përmes akteve agresive

Veriu i Kosovës po futet në javën e tretë të kaosit. Huliganët serbë i kanë bllokuar rrugët, i kanë sulmuar gazetarët dhe kanë qëlluar mbi policinë dhe trupat e KFOR-it. Huliganët nuk janë banditë të rastësishëm. Beogradi paguan dhe kontrollon shumë prej tyre. Çfarëdo qoftshin arsyetimet fillestare për këtë sjellje prej një batakçiu, efekti neto është minimi i dialogut me Prishtinën dhe parandalimi i shqyrtimit serioz të propozimit ende të papublikuar dhe rrjedhimisht të paqartësuar francezo-gjerman për “normalizim” të përkohshëm.

Çfarë dëshiron Beogradi?

Ajo që dëshiron Beogradi është përkushtimi i Prishtinës ndaj Asociacionit të saj shumë të lavdëruar të Komunave me shumicë serbe (AKS) brenda Kosovës. Mirëpo trazirat po dëshmohen përtej çdo dyshimi se dorëzimi në atë pikë në kushtet aktuale do të ishte katastrofik për shtetin e Kosovës. Forcat prapa barrikadave do të bëheshin më pas pushtetet që do të udhëhiqnin një institucion të cilin shteti i Kosovës e ka njohur dhe pranuar. Do të ishte përtej një marrëzie të ndodhte një gjë e tillë. Aq më pak kur dihet mirëfilli se ato forca janë kriminale dhe të lidhura me shërbimet sekrete të Serbisë.

 SHBA dhe BE duhet të turpërohen

Kjo duhet t’i turpërojë të gjithë ata diplomatë amerikanë dhe evropianë që e kanë shtyrë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe. I pari mes tyre është Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së Josep Borrell ndajnë të njëjtin poshtërim. Ata menduan se duke i dhënë Beogradit Asociacion, i njëjti do t’i moderonte pikëpamjet e tij. Kjo ishte diçka e pamenduar. Ajo që ata morën në vend të kësaj ishin përpjekjet e Vuçiqit për destabilizimin. Ata morën gjithashtu një sërë postimesh vërtet fyese nga kryeministri i tij, ofendime këto që i drejtoheshin gjermanëve dhe evropianëve tjerë. Këto përfshijnë një shtytje për të vendosur trupa serbe në Kosovë dhe për ta bërë të qartë se Beogradi nuk është i interesuar për momentin në ndjekjen e ambicieve të deklaruara të anëtarësimit në BE.

Çfarë duhet bërë tani?

Mendjet impulsive në Kosovë duan që KFOR-i t’i largojë barrikadat, në bashkëpunim me policinë e Kosovës. Nëse nuk përgatitet dhe ekzekutohet me kujdes, kjo mund ta shkaktojë një rrëmujë të klasit të parë dhe të sjellë neveri për të gjithë të përfshirët. Do të ishte tejet më mirë t’i ngrisësh forcat në veri dhe të negociosh një fund të trazirave nga një pozicion i fortë. Vetëm atëherë kur ky negocim dështon, duhet të përdoret forca, në mënyrë të vendosur dhe efektive. Udhëheqësit e trazirave duhet të arrestohen dhe ose të gjykohen në Kosovë ose të dëbohen në Serbi, me kusht që Beogradi ta japë një premtim bindës se do t’i ndjekë të njëjtit penalisht.

Kaq nuk mjafton

Evropa dhe SHBA-ja duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nxitja e trazirave në Kosovë mbart pasoja. Më pëlqen propozimi i Jasmin Mujanoviqit:

“Në mënyrë të veçantë, pesë jo-njohësit e BE-së duhet të shohin se si po e lehtësojnë blofin e Serbisë. Njohja e plotë e sovranitetit të Kosovës dhe lejimi i saj për të filluar proceset e anëtarësimit në BE/NATO është diçka që Perëndimi mund ta bëjë sot, duke mos kërkuar asnjë kontribut nga Beogradi, Moska apo Pekini.”

Një gjë e tillë ka kuptim. Edhe nëse një ose dy nga mosnjohësit do të vazhdonin, siç sugjeron Jasmin, kjo do të bënte një ndryshim të madh për armiqësinë e Beogradit. Në këtë mënyrë apo tjetër, Perëndimi duhet të tregojë se destabilizimi nuk është në interes të Serbisë dhe nuk duhet të përsëritet asnjëherë.

Pse do të duhej të shqetësohet dikush?

Edhe unë e kam të vështirë të fokusohem në atë se çfarë po ndodh Kosovë, ndërkohë që Ukraina po vuan një luftë agresioni rus. Megjithatë, ne duhet të kujdesemi për Kosovën, sepse Vuçiq po e ndjek në Kosovë strategjinë e Vladimir Putinit të vitit 2014 në Donbas. Putini po sfidonte strategjinë e Slobodan Millosheviqit të vitit 1993 në Bosnje dhe Hercegovinë. Çdo paqartësi rreth reagimit perëndimor në Kosovë do të nxisë lëvizje të ngjashme diku tjetër. Vuçiq ka zgjedhur të rreshtohet me Rusinë sipas traditës së Millosheviqit. Agresioni nga destabilizimi kudo nuk mund të lejohet të ndodhë./Daniel Serwer/Peacefare.net

Përgatiti: Nuhi Shala