Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Mjekët kosovarë i reagojnë Bislimit pasi ky i krahasoi me mjekët gjermanë
Të premten, më 1 prill, zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, ka arsyetuar largimin e mjekëve nga Kosova, duke thënë se largimi i tyre ndodhë edhe në shtete të zhvilluara si Gjermania.
Ai tha se projektligji i ri për paga nuk garanton rritjen e pagave.
“Mjeket kanë ikë gjithmonë nga Kosova…po, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritë popullsia e Gjermanisë, po se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Projektligji i ri nuk ka me ba pagën 6 mijë euro, për me thënë mjekët s’kanë nevoje me shku…”, vlerësoi Bislimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Por, ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar Oda e Mjekëve të Kosovës. Ky institucion shprehi zhgënjim me numrin dy të qeverisë së vendit pasi Bislimi krahasoi mjekët nga Kosova me ata nga Gjermania.
“Një krahasim i tillë, po të ishte real për nga arsyet, do të ishte vlerësues para së gjithash për sistemin shëndetësor të Kosovës. Mirëpo, në kushtet që punojnë mjekët kosovarë, pasigurinë sociale të cilën e ballafaqojnë çdo ditë, vështirësitë nga më të ndryshmet, përfshirë këtu edhe rrezikshmëria në vendin e punës, të thuhet se mjekët kosovarë migrojnë në Gjermani për shkak se mjekët gjermanë braktisin Gjermaninë, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute njëkohësisht”, thuhet në reagimin e Odës.
Oda e Mjekëve ka shprehur një shqetësim pas ikjes së vazhdueshme të mjekëve.
“Kjo rrethanë eminente vitet e fundit, do e sjellë Kosovën në situatë të tillë ku as përqindja minimale e mjekëve në kokë të banorit nuk do të mund të jetë plotësuar. E kjo paraqitet si anakronike me situatën në të cilën gjendemi e ku aktualisht janë mbi 500 mjekë të papunësuar, pra mbi 12% e numrit total të mjekëve”, thekson reagimi.