Foto: KALLXO.com

Mjekët flasin për dëmet që u shkakton duhani duhanpirësve pasivë dhe fëmijëve

Në emisionin “Kallxo Përnime” është transmetuar reportazhi për mosrespektimin e Ligjit për duhanin në vende të mbyllura.

Lidhur me këtë, pulmologu Skënder Baca ka treguar për dëmet që shkakton duhani në aspektin mjekësor, duke thënë se tymi i duhanit ndikon negativisht në aspektin fizik, kimik dhe biologjik.

“Vetë marrja e një materie që është si trup i huaj për organizmin do të kemi reaksion të vrullshëm ndaj këtij ataku, kryesisht vjen në shprehje trakti respirator për shkak se nëpërmjet traktit respirator hyn duhani. Mirëpo, pastaj nëpërmjet gjakut edhe tërë organizmit duke filluar prej ngushtimit të enëve të gjakut e deri tek efektet negative metabolike”, ka shpjeguar ai.

Për dëmet e duhanit ka folur edhe Sonja Iliq-Odaloviq, mjeke në Graçanicë, e cila ka theksuar se me rrezikshmëri përballen edhe duhanpirësit pasivë.

“Të njëjtin dëm po ashtu e kemi edhe te të ashtuquajturit duhanpirësit pasivë, kështu që ata që qëndrojnë në një hapësirë ku ka një përqendrim më të lartë të tymit të duhanit janë të ashtuquajturit duhanpirës pasivë. Gjithashtu, pas disa hulumtimeve u konstatua se kemi rritje të vdekshmërisë të shkaktuar nga sistemi kardiovaskular diku për 20-25%”, ka thënë ajo.

“Sa u përket sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, kur flasim për kancerin e mushkërive, përqindja është shumë më e lartë, që do të thotë rreth 30-35%. Gjithashtu duhanpirësit e tillë pasivë janë të ekspozuar ndaj të gjitha absolutisht të gjitha sëmundjeve sikurse edhe duhanpirësit aktivë”, ka shtuar ajo.

Mjekja ka folur edhe për dëmet që u shkaktohen fëmijëve.

“Megjithatë, një informacion më shqetësoi shumë kur bëhet fjalë për fëmijët. Gjithnjë e më shumë janë fëmijë që vuajnë nga astma, bronkiti dhe kemi edhe sëmundje të veshit të mesëm të evidentuar tek fëmijët që në mënyrë konstante qëndrojnë në një mjedis me tym të duhanit”, shtoi ajo.

Ky reportazh është realizuar nga gazetarët e KALLXO.com në bashkëpunim me kolegët e GracanicaOnline.