Foto: KALLXO.com

AUV: Për pesë muaj në Kosovë u shqiptuan 60 gjoba për shkelje të Ligjit të duhanit

Zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka bërë të ditur për KALLXO.com se për pesë muaj në Kosovë janë kryer rreth 500 inspektime për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit kundër duhanpirjes në ambiente të mbyllura dhe ka treguar numrin e gjobave të shqiptuara.

“Në të gjithë territorin e Kosovës nga 1 janari deri më tani janë kryer rreth 500 inspektime për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit të duhanit, prej të cilave kanë buruar rreth 55 gjoba për persona juridik dhe 5 gjoba për persona fizik”, ka bërë të ditur Thaçi në reportazhin e transmetuar në emisionin “Kallxo Përnime”.

Thaçi ka thënë se të njëjtët inspektorë të AUV të angazhuar për mbikëqyrjen e zbatimit të masave anti-COVID-19 kanë punuar në të njëjtën kohë edhe në mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit të duhanit.

Ai gjithashtu ka vlerësuar se numri i inspektorëve që ata kanë është i vogël.

“Inspektorët janë me kontrata mbi vepër që do t’iu përfundojnë tani në fund të majit. Ne urojmë dhe shpresojmë që këto kontrata të vazhdohen ose inspektorë me kontrata të përhershme pasi që ky numër që e kemi tani nuk është i mjaftueshëm sepse ne mbulojmë një fushë komplekse të kontrollit”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.