‘Smoke free Sweden’: Pse suedezët po e lënë duhanpirjen?

Suedia është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga vendet e para “pa duhan” në botë, e përcaktuar si më pak se 5% e popullsisë së rritur që është konsumuese e duhanit.

Është vendosur ta arrijë këtë moment historik të rëndësishëm në muajt e ardhshëm – 17 vjet përpara objektivit të BE-së për vitin 2040, me normat e duhanpirjes duke rënë nga 15% në 5.6% gjatë 15 viteve të fundit.

“Asnjë vend tjetër i BE-së nuk është as afër ta përsërisë këtë”, tha për Euronews Dr Delon Human, bashkautor i raportit “Përvoja Suedeze: Një Udhërrëfyes për një Shoqëri Pa duhan”.

Dr. Helon vuri në dukje “strategjinë novatore” të Suedisë për ta trajtuar duhanin, duke vënë në dukje se si duhanpirësit ndihmohen të kalojnë në alternativa “më pak të dëmshme”, të tilla si snus, qeskat e nikotinës dhe duhani me avulll.

I popullarizuar në vendet nordike snus-i është një lloj duhani i thatë që vihet në mishrat e dhëmbëve. Shitja e tij është e paligjshme në çdo vend të BE-së megjithëse përdoret gjerësisht në Finlandë, Danimarkë dhe Estoni.

Snus-i është i lidhur me një rrezik në rritje të kancerit të gojës dhe fytit.

Duke i shpallur luftë duhanpirjes, Portugalia kohët e fundit e ndaloi pirjen e cigareve elektronike në hapësirat e jashtme pranë ndërtesave publike, duke i ndjekur hapat e disa vendeve të tjera evropiane.

“Nuk ka produkte duhani pa rrezik, mirëpo cigaret elektronike, për shembull, janë 95% më pak të dëmshme se cigaret”, tha Dr Human për Euroneës. “Është shumë më mirë për një duhanpirës të kalojë nga cigaret tradicionale në produkte alternative sesa të vazhdojë të pijë duhan”.

Edhe pse më mirë për shëndetin e njeriut, duhanpirja me avull ndikon në mjedis. Duke i shtuar mbeturinave të duhanit – tashmë një nga burimet më të mëdha të ndotjes plastike në botë, dy cigare elektronike hidhen çdo sekondë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas hulumtimit të Material Focus.

Çfarë ndikimi ka pasur në Suedi lënia e duhanit?

“Përfitimet e strategjisë së Suedisë janë të mëdha”, thotë Dr Human.

Ai vuri në dukje statistikat tregojnë se Suedia e ka përqindjen më të ulët të sëmundjeve të lidhura me duhanin në BE dhe një incidencë 41% më të ulët të kancerit sesa vendet e tjera evropiane.

Suedezët gjithashtu kanë një shkallë më të ulët të vdekjeve për 40% për sëmundjet e lidhura me duhanin, të tilla si sulmet në tru, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, emfizema dhe bronkiti kronik.

Ndërkohë që sigurimi i duhanpirësve me një zgjedhje më të madhe alternativash ka luajtur një rol, edukimi dhe masat e kontrollit të duhanit kanë ndihmuar gjithashtu njerëzit të lënë duhanin.

Shifrat nga Fondacioni i Tatimeve tregojnë se cigaret janë taksuar me 4,51 euro në Suedi në vitin 2021, duke e vendosur atë rreth mesatares së BE-së.

Franca dhe Irlanda i kanë vendosur tarifat më të larta për cigaret në BE, ndërsa Bulgari dhe Polonia më të ulëtat.

OJQ-ja ‘Smoke Free Sweeden, thotë se trendi i largimit shpëton më shumë se 3,400 jetë çdo vit, duke shtuar se 2.84 milionë jetë në të gjithë BE-në mund të jenë shpëtuar, nëse blloku i BE-së do ta kishte ndjekur shembullin e tyre.

Kjo OJQ-ja po përpiqet t’i zgjerojë përpjekjet e saj në vende të tjera, si Brazili, duke pretenduar se ka një “dhuratë të shëndetit publik” për botën.

Shkelësit më të mëdhenj të duhanpirjes në Evropë janë Bullgaria me 28.2% të popullsisë që konsumon duhan çdo ditë; pastaj Turqia (27.3%), Greqia (27.2%), Hungaria (25.8%) dhe Letonia (24.9%), sipas të dhënave të përpiluara nga agjencia evropiane e statistikave, Eurostat.

Grekët ishin historikisht disa nga duhanpirësit më të mëdhenj në Evropë. Megjithatë, studimet kanë treguar se kriza e madhe ekonomike e këtij vendi e ka shkaktuar rënien e konsumit.

Suedia ka vite që e lufton cigaren. Duhanpirja u ndalua në të gjitha kafenetë dhe restorantet në fillim të vitit 2005.

Në vitin 2019, ndalimi u zgjerua për ta përfshirë ulëset në natyrë në kafe-bar dhe restorante, si dhe në vende publike./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala