Pirja e duhanit në Evropë: cilat vende janë më shumë dhe më pak të varura nga duhanpirja dhe cigaret elektronike?

Sot është Dita Botërore kundër Duhanit. A janë cigaret elektronike mik apo një armik? Dhe si krahasohen vendet evropiane për sa i përket normave të pirjes së duhanit dhe avullimit?

Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda kanë njoftuar një sulm ndaj cigareve elektronike të shitura ose të shpërndara për njerëzit nën moshën 18 vjeç.

Qeveria britanike më herët i zbuloi planet për t’i ndihmuar duhanpirësit ta lënë duhanin duke kaluar tek cigaret elektronike, por ajo e quan rritjen e të rinjve që pinë duhan shkak për shqetësim dhe thotë se joduhanpirësit nuk duhet të inkurajohen të fillojnë të pinë duhan.

Iniciativa e re e Mbretërisë së Bashkuar e prezantuar në muajin prill synon t’i largojë një milionë duhanpirës nga duhanpirja dhe të kalojnë tek duhani me avull. Qeveria brtanike gjithashtu planifikon t’u ofrojë grave shtatzëna deri në 456 € kupona si nxitje financiare për ta lënë duhanin.

Këto vendime, të cilat aktivistët i kanë quajtur hapa në drejtimin e duhur, janë pjesë e një strategjie më të gjerë për ta bërë Britaninë e Madhe “të lirë nga duhani” deri në vitin 2030, ose uljen e normave të duhanpirjes në afërsisht 5 për qind.

Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë krijuar gjithashtu një “skuadër të zbatimit të duhanprijes me avull si të paligjshëm” në një përpjekje për të goditur shitjet e paligjshme të cigareve me avull për fëmijët nën moshën18 vjeç në dyqane.

Në Irlandë, legjislacioni që e ndalon shitjen e cigareve elektronike për të miturit pritet të miratohet në muajin korrik.

Cila është situata në vendet e tjera në Evropë dhe si krahasohen normat e tyre të pirjes së duhanit dhe duhanirjes me avull?

Sipas të dhënave të përpiluara nga Eurostat, 19.7 për qind e popullsisë së BE-së pi duhan çdo ditë. Në vitin 2019, 5.9 përqind pinin 20 ose më shumë cigare në baza ditore dhe 12.6 përqind pinin më pak se 20 sosh.

Shtetet që pinë më shumë duhan në BE janë Bullgaria, me 28,2 për qind të popullsisë që konsumon duhan çdo ditë, pastaj Turqia (27,3 për qind), Greqia (27,2 për qind), Hungaria (25,8 për qind) dhe Letonia (24,9 për qind). 

Shtetet me më pak duhanpirës janë Suedia (9,3 për qind), Islanda (11,2 për qind), Finlanda (12,5 për qind), Norvegjia (12,9 për qind) dhe Luksemburgu (13,5 për qind).

Suedia, shteti evropian me normat më të ulëta të duhanpirjes, është përballur me duhanpirjen prej vitesh. Pirja e duhanit u ndalua në të gjitha baret dhe restorantet në fillim të vitit 2005. Në vitin 2019, kjo ndalesë u zgjerua më tej për t’i përfshirë ulëset në ambiente të hapura, në bare dhe restorante, si dhe në vende publike.

Në BE, burrat kanë më shumë gjasa të pinë duhan sesa gratë

Në Evropë, burrat janë më duhanpirës sesa gratë; 22.3 për qind e burrave të moshës 15 vjeç e lart janë duhanpirës të përditshëm të cigareve, krahasuar me 14.8 për qind të grave.

Shtetet ku meshkujt pinë më shumë duhan janë Bullgaria (37,6 për qind), Letonia (34,4 për qind) dhe Rumania (30,6 për qind). Në anën tjetër, shtetet ku gratë pinë më shumë duhan janë Gjermania (18.6 për qind), Kroacia (19.2 për qind) dhe Bullgaria (20.7 për qind).

Në Rumani, 30.6 për qind e meshkujve pinë duhan kundrejt 7.5 për qind të femrave; në Bullgari 37,6 për qind janë meshkuj, ndërsa 20,7 për qind janë femra; dhe në Letoni, 34.4 për qind janë burra kundrejt 12.1 për qind të grave.

Në disa shtete, dallimi midis dy gjinive është më i ngushtë apo edhe i kundërt.

Në Suedi, pavarësisht nga ndalesat, ka qenë më e vështirë për gratë ta lënë duhanin; 6.8 për qind ende e bëjnë këtë, krahasuar me 5.9 për qind të meshkujve.

Në Danimarkë, 11.7 për qind e meshkujve pinë duhan dhe 11.8 për qind e femrave.

Në Norvegji, dallimi është gjithashtu i ngushtë; 11 për qind e meshkujve pinë duhan dhe femrat janë dy pikë prapa me 9.4 për qind.

Shumica e duhanpirësve të përditshëm kanë pirë duhan për të paktën 10 vjet

Shifrat sugjerojnë se në të gjithë BE-në, shumica dërrmuese e duhanpirësve të përditshëm në vitin 2019 (76.2 për qind) kishin pirë duhan për të paktën 10 vjet.

Statistikat thonë se 78.1 për qind e burrave që janë duhanpirës të përditshëm kanë pirë duhan për të paktën 10 vjet, krahasuar me 73.5 për qind për gratë.

Cigaret elektronike: Kush pi më shumë?

Cigaret elektronike shpesh promovohen si më të sigurta se cigaret e zakonshme me djegie.

Mirëpo, një studim gjithëpërfshirës nga revista mjekësore BMJ thotë se nuk është e mundur të përcaktohet nëse ato janë më pak të dëmshme për sistemin e frymëmarrjes sesa cigaret e zakonshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se të ashtuquajturat lëngje elektronike të përdorura në cigare elektronike – pavarësisht nëse ato përmbajnë nikotinë apo jo – zakonisht përmbajnë aditivë, shije dhe kimikate që mund të jenë toksike për shëndetin e njerëzve.

Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, kombet që pinë më shumë nga vendet anëtare të BE-së janë Franca (6.6 përqind), Polonia (6.0 përqind) dhe Holanda (5.9 përqind), të kombinuara me avull të rastësishëm dhe të përditshëm.

Përqindja më e ulët e avullimit raportohet të jetë në Spanjë (1.0 përqind); Turqia raportoi një përqindje pak më të vogël në 0.9 përqind.

Mes duhanpirësve aktual me avull, ata që e përdorin çdo ditë këtë lloj duhani janë më shumë se përdoruesit e rastësishëm në Poloni, Irlandë, Greqi, Francë, Portugali dhe Islandë.

Në 20 shtete anëtare, duhanpirësit e dikurshëm me avull ishin më të shumtë se ata aktualë. Shtatë shtete ku kishte më shumë duhanpirës me avull aktualë se sa të mëparshmit ishin Letonia, Kroacia, Lituania, Greqia, Holanda, Çekia dhe Irlanda.

Pirja e duhanit është shkaku kryesor i parandalueshëm i kancerit

OBSH vlerëson se duhani është një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik në botë, duke vrarë më shumë se tetë milionë njerëz në vit.

Pavarësisht progresit të konsiderueshëm të bërë vitet e fundit, numri i duhanpirësve në BE është ende i lartë. Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore thotë se konsumi i duhanit është “rreziku i vetëm më i madh për shëndetin dhe shkaku më i rëndësishëm i vdekjes së parakohshme në BE”.

Në Evropë, 757,677 raste të kancerit i atribuohen duhanpirjes dhe mund të parandalohen, sipas agjencisë ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin.

Rreth 50 për qind e duhanpirësve vdesin para kohe, mesatarisht 14 vjet më herët.

Është interesante të theksohet se Suedia, shteti me numrin më të vogël të duhanpirësve në bllokun e BE-së, është gjithashtu vendi me numrin më të ulët të kancerit të mushkërive.

Të dhënat nga Finlanda, Luksemburgu dhe Portugalia tregojnë gjithashtu një korrelacion me normat më të shëndetshme të kancerit të mushkërive.

Eurostat pritet ta publikojë raportin e radhës mbi shifrat e konsumit të cigareve në vitin 2027./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala