Mitrovicë, në gjykimin e pylltarit për marrje ryshfeti dëshmoi kolegu i tij

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj të pylltarit Ismet Tahiri, i akuzuar për marrje ryshfeti

Sipas aktakuzës, Tahiri këtë vepër e kishte kryer gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2016 në fshatin Zabërxhë të Mitrovicës, ku ka pranuar përfitime-para për vete nga personi Nimon Fejza.

Tahiri ishte person zyrtar – pylltar dhe sipas akuzës ai nuk ka vepruar në përputhje me detyrat e tij duke lejuar që personi Nimon Fejza pa lejen përkatëse të priste dru në vendin e quajtur “Te kërshat e këqij“ fshati Zabërxhë më qëllim që t’i shiste në Mitrovicë.

Ndërsa Nimon Fejza (tashmë i ndjerë) pas çdo transporti të druve i dorëzonte të pandehurit Tahiri nga 50 euro.

Këtë shumë i pandehuri e kishte pranuar së paku në katër raste, dy herë në fshatin Melenicë dhe dy herë të tjera në Mitrovicë.

Ndërsa shuma e parave të kërkuara sipas akuzës rezulton të jetë 200 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – marrje ryshfeti.

Përveç kësaj, i pandehuri Ismet Tahiri akuzohet edhe për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Kjo për shkak se ai si zyrtar në cilësinë e pylltarit ka lejuar që të prehet pylli në vendin e quajtur “Te kërshat e këqij“, që është nën mbikqyrje të APK-së.

Ndërsa, në këtë rast Nimon Fejza kishte arritur që së paku në katër raste drutë e prera në vendin e lartcekur t`i barte me kamion dhe t`i shiste në Mitrovicë në vlerë prej 500 euro.

I akuzuari Tahiri përveç që ka përfituar personalisht dhe i ka siguruar përfitim personit Nimon Fejza, në të njëjtën kohë i ka shkaktuar dëme Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Në cilësinë e dëshmitarit sot u dëgjua Qamil Hajra, koleg i të pandehurit Tahiri.

Hajra duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit ka deklaruar se nuk e dinte nëse i ndjeri Fejza i kishte dhënë para të pandehurit Tahiri.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Skender Musa, dëshmitari Hajra ka thënë se tani i pandehuri nuk ka pasur ndonjë vërejtje për punën e tij dhe se ka qenë një ndër punëtorët më të mirë në sektorin e pylltarisë.

Pas dëgjimit të dëshmitarit seanca ka vazhduar me administrimin e provave.

Por, seanca u ndërpre për shkak se në Gjykatë nuk ka pasur kushte teknike që të dëgjohej audio-incizimi ku ishte zhvilluar biseda në mes të pandehurit Tahiri dhe të ndjerit Fejza, si provë e propozuar nga Prokuroria.

Gjykatësi Radosllav Markoviq ka njoftuar palët se seanca e radhës do të mbahet në muajin shtator.

Në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Sylë Fejza, i cili sipas akuzës në qershor të vitit 2016, gjithashtu në fshatin Zabërxhë të Mitrovicës, me kanosje serioze ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas akuzës, ai kishte kanosur pylltarët Ismet Tahiri (tashmë i pandehur) dhe Ramadan Salihu, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

Më këtë Fejza akuzohet se ka kryer veprën penale – pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Kurse meqenëse i pandehuri Sylë Fejza e kishte pranuar fajësinë për veprën me të cilën akuzohet që në seancën e shqyrtimit fillestar, kryetari i trupit gjykues Radosllav Markoviq ka veçuar procedurën ndaj tij, pasi veprat për të cilat akuzohej i takonin Departamentit të Përgjithshëm.