Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në veri

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dërnuar “ashpër aktet e dhunës dhe frikësimit” që ndodhën dje ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri.

Sipas OSBE-së, KQZ-ja ka treguar se ka aftësi teknike për të zhvilluar zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare.

“Zgjedhjet e suksesshme kërkojnë pjesëmarrje të gjerë dhe besim publik në mënyrë që të japin një rezultat të besueshëm të pranuar nga të gjithë. KQZ-ja ka treguar se ka aftësi teknike për të zhvilluar zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare. Duke vepruar kështu, KQZ-ja mbështetet në përkrahjen e institucioneve të tjera të Kosovës për të vendosur të gjitha elementet e nevojshme, duke përfshirë vlerësimet e sigurisë për procesin zgjedhor dhe një mjedis të sigurt për të gjithë ata që janë të përfshirë në terren” – thuhet në komunikatën e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Zyrat e KQZ-së në veri u sulmuan dhe ajo në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.

Deri më tani Policia nuk ka njoftuar për ndonjë person të identifikuar ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se këto tensione nisën nga grupet kriminale.

Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave veriore, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë paraparë që të mbahen më 18 dhjetor 2022.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat ishin planifikuar të mbahen me 18 dhjetor.

Sipas ambasadorit Hovenier, siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Sot, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga Mitrovica e Jugut ka folur për situatën në veri duke thënë se Kosova ka kapacitetet e duhura për të mbajtur dhe ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

“Ka shumë punë në këtë qytet, shumë punë në këtë zonë, prandaj edhe kam ardhur, me i kordinu punët. Situata është qetë. Ne kemi edhe kapacitete me i mbajt zgjedhjet dhe me i siguru zgjedhjet. Policia e Kosovës bën plane të saj dhe në bazë të vlerësimit, ne i shtojmë kapacitetet”- tha Sveçla në një bisedim me gazetarët  në afërsi të “Urës së Ibrit” në Mitrovicë të Jugut.

Ai ka folur edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha sot se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Ai e ka dhënë një opinion, ne e vlerësojmë shumë por janë institucionet përkatëse ato që vlerësojnë” – tha  Sveçla.