Burimi: Google

Rëndësia e shëndetit mendor, kërkohet më shumë mbështetje nga institucionet e Kosovës

Në Kosovë po vlerësohet se ka ngritje të vetëdijesimit lidhur me rëndësinë e ruajtjes së shëndetit mendor.

Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, psikologë e sociologë vlerësojnë megjithëkëtë, se duhet mbështetje më e madhe nga institucionet e vendit në këtë drejtim.

Psikologu Leutrim Edipi thotë për KALLXO.com se vetëdijesimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor ka ardhur si rezultat i intervenimeve në komunitet përmes kampanjave dhe shtimit të organizatave e qendrave që ofrojnë shërbime psikoterapeutike.

Por ai shton se mungon përkrahja nga shteti lidhur me këtë çështje.

“Në tërësi, mungon përkrahja adekuate nga shteti në bashkërendim me gjitha institucionet për t’u mobilizuar me gjitha kapacitetet maksimalisht për të ofruar shërbime cilësore dhe psikoedukim si dhe për të ulur stigmën dhe paragjykimet që akoma janë prezentë në shoqëri”- ka thënë ai.

Rëndësinë e institucioneve për ndikim në lidhje me vetëdijesimin për rëndësinë e shëndetit mendor, e përmend edhe sociologu Labinot Kunushevci.

“Shteti mund të kontribuojë nëse në kurrikulat arsimore e fuqizon edukimin mbi shëndetin mendor dhe nëse mbështetë fushata publike mbi sensibilizimin e shoqërisë për rëndësinë e bashkëpunimit me ekspertë të shëndetit mendor, duke përdorur tri segmente të fuqishme: shkollën, median dhe kampanjat publike” – tha ai për KALLXO.com.

Faktorët që çojnë në çrregullime

Psikologu Leutrim Edipi thekson se ka faktorë të ndryshëm të cilët ndikojnë në shfaqjen e problemeve në lidhje me shëndetin mendor.

“Faktorët gjenetik dhe mjedisor, duke përfshire përvojat traumatike ne fëmijëri, abuzimi me substanca, ndryshimet ne nivel hormonal, stili i jetesës (mënyra të ushqyerit, gjumit, aktiviteti fizik), abuzimi dhe dhuna e të gjitha formave,  puna dhe statusi socio-ekonomik, mungesa e interaksionit social e të tjera”-shtoi ai.

Ndërkaq, sociologu Labinot Kunushevci, tregon se edhe e kaluara e një shoqërie ka ndikim në shëndetin mendor, duke asocuar në pasojat e luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-1999.

“Shëndeti mendor në një shoqëri post-traumatike sigurisht se është mjaft i cenuar. Duke qenë një shoqëri e cila po kalon në një tranzicion kulturor, me ndryshimin e vlerave, në një periudhë ku manifestohen pasojat post-traumatike të luftës, të shtypjes së ish sistemit, në kombinim me nivelin e lartë të frustrimit social dhe iluzioneve të krijuara që po thyhen dita-ditës, tregon që ekuilibri i shëndetit mendor dhe kulturor është në krizë”- sqaroi sociologu.

Kunushevci tha se shëndeti mendor kërkon një vetëdijësim për rolin që kanë profesionistët e psikologjisë.

“Problemet e shëndetit mendor kërkojnë vetëdijesim mbi rolin e psikologut si profesionist dhe autoritet shkencor që trajton problemet nga këndvështrimi adekuat. Por në një shoqëri ku shkencat shoqërore janë në margjina të diskutimeve publike dhe ku profesionistët e shëndetit mendor nuk janë referencë për zgjidhjen e problemeve, sigurisht se ekzistojnë stereotipi dhe inferioriteti i identifikimit me ta”-ka shtuar ai.

Psikologu Edipi  tregoi se shëndeti mendor përfshin mirëqenien tonë emocionale, psikologjike dhe sociale.

Po ashtu, tha se ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë.

“Shëndeti mendor është gjendje mirëqenieje në të cilën individi realizon aftësitë e tij ose të saj, përballon streset normale të jetës, punon në mënyrë produktive dhe frytdhënëse dhe është në gjendje t’i japë një kontribut komunitetit të tij ose të saj”- ka thënë ai.

Ai ka sqaruar se shenjat dhe simptomat e problemeve me shëndetin mendor mund të ndryshojnë në varësi të llojit të problemit dhe individit.

“Duhet theksuar se stresi, ankthi, mendimet negative dhe simptoma tjera gjatë një periudhe të shkurtër jetësore janë normale, mirëpo nëse ‘cenohet’ funksionimi normal i përditshëm jetësor dhe simptomat ndodhin në mënyrë kronike, atëherë këshillohet të kërkojmë ndihmë profesionale”- tha Edipi.

Ruajtja e shëndetit mendor

Disa nga simptomat që tregojnë çrregullime, i ka përshkruar psikologu Leutrim Edipi.

“Ndjenjat e vazhdueshme të shqetësimit, frikës, ankthit, mërzisë, trishtimit, humbjen e interesit dhe kënaqësisë në aktivitetet tona të përditshme, vështirësi në përqendrim dhe ndryshime në sjellje, ndryshime në apetit, probleme me gjumin, energji të ulët dhe lodhja e vazhdueshme” – tha ai.

Në këtë situatë, sipas tij preferohet të këshillohet profesionisti shëndetësor, të kërkojë mbështetje psiko-sociale nga familjarët dhe miqtë, si dhe të kuptojmë se marrja e ndihmës është domosdoshmëri”-ka shtuar ai.

Edipi ka thënë se situatat që lidhen me këtë problematikë mund të kalohen më lehtë kur ofrohet mbështetje nga të tjerët.

“Nëse ekziston gatishmëria e personit dhe kërkohet ndihmë, i ofrohet mbështetje nga familja, bashkëmoshatarët, puna si dhe merr trajtim efikas nga profesionist të shëndetit mental, rruga drejt “rikuperimit” dhe krijimit të mekanizmave ballafaques do të jetë më e lehtë. Pra, një trajtim i ndërtuar mbi një qasje të bazuar në evidencë do të fasilitojë procesin e tejkalimit të sfidave që hasen në raport me shëndetin mendor”- shpjegoi ai.

Më tej, psikologu Edipi ka treguar se si të ruhet shëndeti mendor.

“Kujdesi për mirëqenien psikologjike është një proces që na përcjell gjatë tërë jetës dhe kërkon mirëmbajtje dhe rivlerësim kohë pas kohe të prioriteteve tona si dhe reflektim mbi faktorët rrezikues të mirëqenies tonë psikologjike. Për mirëqenie të lartë psikologjike duhet marrë në konsideratë fushën e socializimit, ku duhet ndërtuar marrëdhënie të shëndosha ndërpersonale me familjen, shoqërinë dhe të tjerët duke komunikuar, ofruar dhe kërkuar mbështetje”- tregoi ai.

Më tej, ai, theksoi se është e rëndësishme të identifikohen strategji të menaxhimit të stresit dhe të përmirësohen aftësitë e menaxhimit të emocioneve.

Po ashtu, tha se duhet të ndiqen rutina të rregullta të gjumit, ushqyerjes së shëndetshme, si dhe theksoi pjesëmarrjen në aktivitete.

Ai ka rekomanduar qytetarët që të ndjekin burime të sigurta të informacionit mbi shëndetin mendor.

Sipas tij, ndonëse ka pasur përmirësim rreth çështjes për konsulta me psikologun, studimet tha që tregojnë se të rinjtë zgjedhin bashkëmoshatarët për t’i diskutuar gjërat.

“Perceptimi mbi psikologun si pikë referente për të kërkuar mbështetje është në përmirësim e sipër, ani pse studimet që kemi realizuar tregojnë që sidomos të rinjtë shohin vetëm bashkëmoshatarët si pikë mbështetëse dhe të besueshme për të diskutuar mbi çështje që lidhen me shëndetin mendor”-tha psikologu.

Për moshat e reja, ai konsideron që duhet të rriten përpjekjet nga organizatat dhe shteti për t’ua treguar atyre rëndësinë dhe ndikimin pozitiv të psikologut.

Ai tregoi se ka programe të ndryshme dhe linja që ofrojnë shërbime pa pagesë dhe theksoi se së shpejti do të lansohet platforma “Mirëqenia psikologjike”, e mbështetur nga Ministria e Kulturës.

“Së shpejti platforma ‘Mirëqenia psikologjike’, si projekt i mbështetur nga MKRS, do t’i bashkëngjitet karvanit të kauzës së ofrimit të shërbimeve psikologjike falas për të rinjtë në Kosovë dhe diasporë. Rëndësia e këtyre platformave qëndron në atë që minimizohet barra socio ekonomike e të rinjve duke ju ofruar mundësi të marrin shërbime psikologjike falas, fizikisht ose online dhe të adresojnë problemet e tyre me profesionistë të shëndetit mendor”-shtoi Edipi.

Tutje shtoi se ka filluar të rritet numri i rasteve që marrin shërbime për terapi në çift, konsulta për vështirësi në sjellje të fëmijëve, orientim në karrierë e të tjera.

Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se shëndeti mendor është një ndër prioritetet kryesore.

“Që nga funksionalizimi i Divizionit të Shëndetit Mendor janë iniciuar dhe zhvilluar aktivitete me qëllim të ruajtjes së mirëqenies së plotë fizike dhe mendore të qytetarëve për sigurimin e jetës së shëndetshme dhe promovimin e mirëqenies për të gjithë në  të gjitha moshat” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Nga Ministria thanë se janë hartuar politika, plane, udhëzues dhe udhërrëfyes klinikë lidhur me shëndetin mendor.

Ndërsa sa u përket veprimeve të ndërmarra për ruajtjen e shëndetit mendor në punë theksuan se është hartuar udhëzuesi “Shëndeti Mendor në Punë”.

Nga MSH-ja shtuan se me prioritet janë vaksinuar të gjithë klientët që marrin shërbim në institucionet e shëndetit mendor në vend, përmes Komitetit për Imunizim. Po ashtu, shtuan se është monitoruar procesi i vaksinimit dhe ofrimi i shërbimeve për trajtimin e pacientëve me çrregullime mendore.

Ata thanë se janë realizuar trajnime për punonjësit shëndetësorë në tri nivele të kujdesit shëndetësor.

“Janë realizuar trajnime për punonjësit shëndetësor në tri nivelet e kujdesit shëndetësor  (parësor, dytësor dhe tretësor),  për “Shëndet Mendor –Qëndrueshmëria  ndaj COVID-19” si dhe  është realizuar trajnimi për Sindromën Burnout për kujdesin parësor shëndetësor”- kanë thënë nga Ministria.

Sipas MSH-së, janë mbështetur financiarisht edhe organizata joqeveritare që punojnë në këtë fushë.

Më tej, nga kjo Ministri shtuan se kanë hyrë në listën esenciale të barnave medikamentet e reja të vlerësuara nga profesionistët e shëndetit mendor për trajtimin e pacientëve me çrregullime të shëndetit mendor.

Sipas Ministrisë, Shërbimi Profesional i Shëndetit Mendor në Republikën e Kosovës është themeluar bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sipas përvojave më të mira të shteteve europiane.

Nga kjo Ministri thanë se shërbimet e shëndetit mendor ofrohen përmes tri niveleve të kujdesit shëndetësor.