Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Miratohet Ligji për pagat në sektorin publik

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë sot në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Për këtë projektligj vota kundër nuk pati ndërsa për abstenim e ngriti dorën kryeparlamentari Glauk Konjucfa.

Në votimin e  dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u deklaruan që nuk e votojnë këtë projektligj për shkak se ndër të tjera ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit që përcakton pagat.

Deputetja Hykmete Bajrami e LDK-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati duhet të deklarohen se kur ky projektligj hyn në fuqi nëse miratohet sot.

“Ne ende nuk e dimë sa është vlera monetare e koeficientit. E kjo bëhet edhe më skandaloze kur lexojmë nenin 9 i cili thotë që vlera e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit dhe ne e dimë që ka kalu. Ministri dhe kryeministri duhet me na tregu që nëse ky miratohet kur ka me hy në fuqi. S’ka pasë kosto buxhetore as amendamenteve nuk keni pasë mundësi me ju caktu kosto buxhetore. Zyrtarët duhet ta dinë se as deputetët nuk e dinë se kur ky ligj do të hyjë në fuqi” – ka thënë deputetja Bajrami.

Edhe, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se nuk mund t’i jepet mbështetje ligjit për paga në sektorin publik pa e ditur vlerën e koeficientit.

Ai ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti dhe nga ministri i Financave që ti tregojë se sa është koeficienti minimal dhe ai maksimal.

“Sot asnjë zyrtar publik nuk e din vlerën e koeficientit dhe ne nuk kemi se si t`i japim mbështetje një ligji pa e ditë vlerën e koeficientit. A ka mundësi kryeministri por edhe ministri i financave me na tregu se cili është koeficienti minimal i juaji që e shihni dhe ai maksimal”- tha Tahiri.

Ndërsa, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu tha se në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kur po trajtohej ligji pagave, u shpërfillën amendamentet dhe kërkesat e sindikatave që marrin pagë nga buxheti i Kosovës.

Haxhiu deklaroi se me përkushtim u votuan amendamentet e Qeverisë.

“Për fat të keq ky projektligj, po vjen në votim duke shpërfillur të gjitha kërkesat e sindikatave dhe organizatave punonjëse që marrin pagë nga buxheti i Kosovës. Për gjashtë orë kam qëndruar në Komisionin për Administratë Publike për shqyrtime të amendamenteve dhe kërkesave të sindikatave dhe të organizatave buxhetore dhe jam i zhgënjyer se me sa papërgjegjësi janë trajtu këto kërkesa”- u shpreh Haxhiu.

Sipas draft ligjit, ky ligj parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Ne anen tjeter, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga 25 gushti kishte nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend e cila zgjati më shumë se një muaj.

Njëra nga kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, pati dekalruar se greva nuk do të ndërpritet por do të pezullohet deri në janar.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.