Ilustrimi: KALLXO.com
Ligji i pagave, MPB pranoi mbi 33 mijë kërkesa për korrigjim të koeficientëve
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka pranuar rreth 33 mijë kërkesa për të korrigjuar listat e pagave, që kur Ligji i ri i Pagave ka hyrë në fuqi, më 5 shkurt 2023.
Për shkak të këtyre gabimeve, shumë zyrtarëve publikë u janë ekzekutuar paga më të larta ose më të ulëta se sa koeficienti i tyre.
Kështu ka ndodhur edhe me tre zyrtarë për pranimin e produkteve farmaceutike dhe material medicinal në Barnatoren Qendrore në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Njëri prej këtyre zyrtarëve, Arben Jashari tha për KALLXO.com se nga shkurti deri në korrik, kanë marrë paga me vlera të ndryshme. Koeficienti i tyre është 5.1, që do të thotë se paga mujore, sipas ligjit të ri është 535 euro e 50 centë bruto.
Si rrjedhojë, ata i janë drejtuar Komisionit për rregullimin e pagave në QKUK me një shkresë duke kërkuar sqarim.
Në këtë shkresë thuhet se këta zyrtarë kanë pranuar rreth 654 euro në shkurt, 615 euro në mars, 379 në prill dhe 261 në maj.
Jashari tregoi se në qershor kanë marrë 613 euro ndërsa në korrik 497 euro. Sipas tij, të gjitha këto vlera janë neto, siç i kanë pranuar ata përmes bankës.
Sqarimin që e kërkuan, Jashari dhe kolegia e tij, Ardelinë Delijaj thotë se nuk e morën, mirëpo kryetari i këtij komisioni, Alban Janova iu përgjigj pyetjeve të KALLXO.com lidhur me këtë çështje.
Janova tha se kjo ka ndodhur pasi Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjatë ekuivalentimit të të punësuarave nga paga/koeficienti i vjetër në pagën/koeficientin e ri ka bërë disa gabime.
Siç thotë ai, vetëm në SHSKUK janë afërsisht mbi 1200 gabime.
“Për këtë qëllim Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendim, ku ka obliguar DMZP/MPB që së bashku me Thesarin të bëjnë korrigjimin e ekuivalentimeve. DMZP ka kërkuar nga institucionet që të evidentojnë gabimet, t’i përpilojnë listat dhe t’i dergojnë në DMZP për miratim” – shtoi Janova.
Sipas tij, SHSKUK ka dërguar për korrigjim të gjithë emrat e zyrtarëve te të cilët është bërë gabimi dhe se shumica prej tyre janë shqyrtuar.
“Nëse nuk gabojmë, zyrtarët e Barnatores Qendrore, fillimisht janë paguar si profesionistë shëndetësorë me një koeficient më të lartë, pasi janë bërë ndryshimet sipas Ligjit, janë ekuivalentuar në koeficient 5.1. Ndërsa pas parashtrimit të ankesës së tyre, Komisioni ka vendosur që t’i propozojë DMZP-së, një ngritje të koeficientit nga 5.1 ne 5.7” – tregoi Janova.
Ai më tej tregoi se ky propozim është refuzuar nga DMZP dhe të gjithë këta zyrtarë kanë mbetur me koeficient 5.1.
Ministria e Shëndetësisë tha për KALLXO.com se nëse dikush për disa muaj ka marrë pagë më të ulët se sa koeficienti i tyre, në momentin e korrigjimit, është kompensuar retroaktivisht edhe për muajt e kaluar.
E kundërta ka ndodhur edhe me ata që kanë marrë pagë më të lartë se sa koeficienti real i tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik ndërsa i njëjti pas plotësimit dhe ndryshimit me vlerën e koeficientit ka hyrë në fuqi më 5 shkurt.
Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 është 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.
Ky ligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit më 7 prill, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Kjo pasi Avokati i Popullit kishte pranuar mbi 100 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.