Ilustrim

Kuvendi miraton Ligjin për ndarjet buxhetore, i cili përfshin koeficientin në vlerë 105 euro për pagat e sektorit publik

Në orët e vona të mbrëmjes dhe me procedurë të përshpejtuar përmes një mocioni procedural, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë mbështetje Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Ligji ka kaluar me votën e 63 deputetëve.

Paraprakisht, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që me mocion procedural të përshpejtohen procedurat për miratimin në lexim të dytë të këtij Projektligji.

Ndërkaq në lexim të parë, më 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi miratoi Projektligjin për ndarjet buxhetore që përfshin koeficientin në vlerë prej 105 eurosh për pagat në sektorin publik.

Prezantimin e këtij Projektligji e ka bërë ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Vlera e koeficientit është në shumën 105 euro. Me Ligj është paraparë fleksibiliteti që Ministrisë së Financave t’i jepet mundësia të bëjë transferim nga një organizatë buxhetore në tjetrën. Ju ftoj që ta miratoni dhe të trajtohet edhe në procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mund t’i ekzekutojmë pagat këtë muaj”-ka thënë Murati.

Partitë opozitare kanë kritikuar koeficientin prej 105 euro dhe kanë propozuar vlerë tjetër të tij.

Miratohet në parim Projektligji për ndarjet buxhetore që përfshin koeficientin 105 euro