Ligji për paga dërgohet në Kushtetuese

Avokati i Popullit e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Sipas njoftimit, që nga hyrja në fuqi e ligjit, Avokati i Popullit ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

“Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave.

Sipas Avokatit të Popullit, ligji përmban disa nene dhe paragrafë nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar.

“Shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar”- thuhet në njoftim.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik ndërsa i njëjti pas plotësimit dhe ndryshimit me vlerën e koeficientit ka hyrë në fuqi më 5 shkurt.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 është 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.