AAK: Gjykata Kushtetuese njeh të drejtën për pensionistët kontributdhënës para 1 janarit 1999

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të largojë nenin 8 të ligjit për skemat pensionale. Ky nen përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vite punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.

E sipas AAK-së, tashmë ky nen është larguar nga ky ligj.

Deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media, ka thënë se tashmë secili qytetar do të shpërblehet me pension për aq vite sa ka punuar.

“Ju informojmë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për largimin e nenit 8 në ligjin për skemat pensionale. Nëse ju i keni pasur 14 vite e 11 muaj përvojë, nuk keni pasur mundësi të përfitoni nga pensionat dhe kërkesa jonë ka qenë të largohet ky kushtëzim” – ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, pozita nuk e ka mbështetur këtë nismë.

“Nuk e kemi pasur mbështetjen e pozitës dhe ky proces është zhagit prej majit të 2022-ës. Duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pensioninstët t’i gëzojnë pensionet. Shpresoj që ky ligj brenda 6 muajve të merr formën e prerë” – tha ndër të tjera Dreshaj.

Nisma e AAK-së për këtë çështje kishte filluar në shtator 2022, kur deputeti Dreshaj kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës iniciativën për të larguar nenin ‘problematik’.

Në ndërkohë, po ashtu në këtë konferencë për media, deputeti tjetër i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë në lidhje me kërkesën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtuar shtetit gjerman, që kosovarët të lejojnë të hyjnë në Gjermani me pasaporta të skaduara, për shkak të mungesës së materialit për prodhimin e pasaportës.

Tahiri tha se AAK do të kërkohë interpelancë në lidhje me këtë çështje.

“Pasaporta dhe leternjoftimi është identifikimi i shtetësisë, është e papërgjegjshme fakti që qytetarët nuk kanë të drejtë të kenë pasaportë. Është dëshpëruese dhe ne si AAK do të kërkojmë interpelancë për shkak se kjo duhet të diskutohet. Pasaporti është e drejtë e njeriut” – tha ndër të tjera Tahiri.

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane e të cilën e ka siguruar KALLXO.com, ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

Mungesa e materialit, Sveçla kërkon nga Gjermania të lejojë hyrjen e qytetarëve me pasaportë të skaduar