Ministrja Haxhiu flet për hetimet e incidenteve ndaj qytetarëve serb

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për hetimet lidhur me rastet e incidenteve ndaj qytetarëve serb, përfshirë djegien e veturave.

Haxhiu tha se dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në komunat në veri nuk do të ndalin vazhdimin e hetimit të këtyre rasteve.

Ajo ka bërë thirrje që secili qytetarë që konsideron që është kërcënuar t’u adresohet institucioneve përgjegjëse.

“Sipas informacioneve që unë kam asnjë rast që ka ndodhur, edhe kjo për djegie të veturave, nuk do të ndalet për shkak që nuk ka prokuror dhe gjyqtar, institucionet tona do të vazhdojnë të funksionojnë normal, pavarësisht dorëheqjeve që po i dirigjon Beogradi. Kërcënimet që po i bën Vuçiq dhe Beogradi në drejtim edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë evidente. Unë bëj ftesë që secili që konsideron që është kërcënuar t’i adresoj ato të institucionet përgjegjëse” – tha ajo në një konferencë për media.

Haxhiu nuk ka dhënë informacione lidhur me pistën e hetimeve apo nëse ka persona të dyshuar për rastet e djegieve të veturave të qytetarëve serb në veri të vendit.

Policia e Kosovës muajt e fundit ka njoftuar për disa raste të djegies së veturave të qytetarëve serb në veri, përfshirë edhe një incident të djegies së shtëpisë e të tjera.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se qershori kur është marrë vendimi për targa janë regjistruar pesë raste të veturave të djegura.

“Nuk është hera e parë që Serbia përdorë strukturat kriminale për terrorizimin e qytetarëve sa herë që ata janë përgjigjur pozitivisht vendimeve të vendit. Që nga viti 2011, që kur ka nisur procesi i konvertimit të targave janë djegur 56 automjete të qytetarëve serb. Nga qershori kur është marrë vendimi ku kemi pas 5 vetura të djegura”- shtoi ai.

Ai ka thënë se rastet e djegieve janë bërë për shkak që siç tha ai, të kërcënimit dhe frikësimit të masës.

“Një rast i kontinjerit, një stallë dhe një pjesë e shtëpisë. Keto veprime janë bërë për shkak që kanë kthyer targat në RKS. Janë organizuar me qëllim të frikësimit të masës dhe kërcënimit”- tha Sveçla.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në Veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e nga gjyqësori.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletë-dorëheqjet e tyre, duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.