Ministria planifikon ta shndërrojë kompleksin e Jasharajve në pikë referuese turistike

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në ‘Kallxo Përnime’ shpalosi planet e tij për të ‘rigjallëruar’ kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Çeku tha se në master-planin e tyre për këtë kompleks përpos konservimit dhe restaurimit do të mundohen ta kthejnë këtë kompleks në ‘landmark’ apo pikë referuese turistike.

“E gjithë kjo hapësirë do ta ketë master-planin e vet ku do të planifikohet gjithçka. Zona e përgjithshme ka edhe zona private, por ligji në fuqi për kompleksin parashesh edhe shpronësime por edhe ndërtime përpos konservimeve, funksionit muzeal, vendosjes së gardës së Forcës së Sigurisë, rregullimit të varrezave dhe detajeve tjera”, tha Çeku.

Ndërsa në lidhje me gjendjen momentale, ministri tha se sipas vlerësimit të eksperëtve të Ministrisë nuk ka rrezik iminent për shembje, por që objektet nuk janë në gjendje të mirë. 

“Në mbledhjen e Komitetit e kemi marrë një vendim që ekipi i dytë i inxhinerëve të ndërtimtarisë të konstatojnë se a ka nevojë për ndërhyrje emergjente dhe a rrezikojnë që këto ndërtesa të demolohen nga shkaqe natyrore”, tha ai.

Sipas tij, së shpejti ekipi i konstruksionit do të jetë në terren dhe nëse konstatohet se ka rrezik do të ndërhyjnë me sanime. 

“Është shumë proces i ndjeshëm dhe duhet t’i japim kohë procedurës,  por kohë nuk do të humbasim”, tha ministri.