Ministria e Shëndetësisë merr 7.6 ton pajisje donacion nga UNICEF-i dhe Qeveria e Luksemburgut

UNICEF-i në bashkëpunim me Qeverinë e Luksemburgut i kanë dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë një donacion prej 7.6 ton pajisje mjekësore personale, ndërsa 10% e këtyre pajisjeve janë të ndara për Qendrat Shëndetësore të Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut.

“Luksemburgu është mirënjohës ndaj UNICEF-it për koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta dhe sjelljen e PPE-ve të nevojshme në Kosovë! Luksemburgu vazhdon të mbështesë Kosovën në këto periudha të vështira dhe ne jemi të lumtur që mund të mbështetemi te partnerët tanë për këtë. PPE-të janë një pjesë thelbësore në luftimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe ne përsëri i inkurajojmë të gjithë të respektojnë masat mbrojtëse në vend."”, thuhet të ketë thënë Natacha Gomes e ngarkuara me punë e Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë.

Sipas komunikatës për media ky donacion përmban 2,000 kostume mbrojtëse me mbulim të tërësishëm, 600,000 dorëza HE*, 3,000 mburoja të fytyrës, rezistente ndaj mjegullimit; 200,000 kapela klinike; 155,000 maska FFP2/N95 dhe 200,000 maska klinike.

Tutje është bërë e ditur se UNICEF-i do t’i mbështesë veprimet parandaluese në komunitete për ta mbrojtur shëndetin e fëmijëve, prindërve e kujdestarëve të tyre dhe gjatë javëve të ardhshme UNICEF-i do të sjellë pajisje shtesë të mbrojtjes personale  për punëtorët shëndetësorë në vijë të frontit.

Gjithashtu UNICEF-in në bashkëpunim me Qeveria japoneze kanë dhuruar 367 mijë e 580 pajisje mbrojtëse personale për punëtorët shëndetësorë në Kosovë.