Ministri Maqedonci: Do të marrim pjesë në konferencat planifikuese për Defender Europe 2025

Pas situatës së krijuar në veri të Kosovës në maj të këtij viti, Kosova ishte përjashtuar nga Europe Defender 23.

Këtë e kishte konfirmuar vet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Lidhur me këtë, sot në një konferencë për media ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Kosova do të marrim pjesë në konferencat planifikuese gjatë kësaj vjeshte për “Defender Europe 2025”.

“Ne do të marrim pjesë në konferencat planifikuese gjatë kësaj vjeshte për ‘Defender Europe 2025’ që gjithashtu realizohet në pjesën jug-lindore të Evropës dhe jam i bindur se do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm të bashkëpunimit me SHBA-të” – tha ministrii ri, Maqedonci.

Tutje ai shtoi se ‘Defender Europe’ si aktivitet nuk është anuluar, por është anuluar pjesa përfundimtare që ka qenë dita e hapur për media dhe vizitorë të shquar për të përcjell aktivitetin e ‘Defender Europe 2023’.

“Në aspektin operacional aktivitetet kanë përfunduar të gjitha deri në atë kohë, pra nuk jemi paralizuar në aspektin operacionale, është më shumë një reagim ndaj situatës po i cili me të vërtetë nuk e ka lënduar aspektin operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës” – tha ministri.

Më 30 maj 2023, në një takim në mes gazetarëve dhe ambasadori Hovenier ai kishte njoftuar për përjashtimin e Kosovës nga Defender 23.

“Ashtu siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe si kemi thënë ne, kjo do t’i afektojë marrëdhëniet tona biletarele. Indikacioni i parë i kësaj është vendimi i Gjeneral Komolit, udhëheqësit të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë për të përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Europe Defender 23 që ndodhi gjatë natës dhe, siç e keni parë, sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë. Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund. Jemi duke mendu për implikime tjera” – kishte thënë ai.

Në konferencës e sotme të ministrit Maqedonci, foli edhe për objektivat kyçe që janë planifikuar për të punuar në to gjatë gjysmëmandatit të tij.

Ai tha se janë gjithsej katër objektiva, dy që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes e dy të tjera me FSK-në.

“Do të përkushtohemi në vazhdimësi që të bëjmë mbikëqyrjen demokratike dhe tjetër do të jetë zgjerimi i bashkëpunimit bilateral duke bërë që MM dhe FSK të rrisin ndër veprueshmërinë me partnerët dhe aleatët në veçanti me SHBA por edhe më të tjerë” – tha ministri.

“Dy objektivat tjera që lidhen me FSK-në janë zhvillimi i kapaciteteve ushtarake dhe ruajtja e kapaciteteve aktuale të FSK-së” – shtoi tutje ai.

Ministri tha se janë duke vazhduar me rekrutim të ushtarëve të rinj, ku tha se janë 612 rekrut duke përfunduar trajnimin bazik që më pas t’i bashkëngjiten FSK-së dhe janë duke u trajnuar edhe 388 rekrut që do të mbesin rezervë.

Maqedonci tutje shtoi se fokus dhe qëllim i tyre është integrimi në NATO. Ai tha se anëtarësimi në NATO varet edhe prej shumë faktorëve të tjerë.

Kriza në veri – Sanksione serioze të SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtohemi nga Defender 23