FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

Kriza në veri - Sanksione serioze të SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtohemi nga Defender 23

17:58 – Hovenier: Osmani në mënyrë konsistente e ka theksuar bashkëpunimin e plotë dhe të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, gjatë një takimi me gazetarë të martën konfirmoi se tashmë Kosova ka marrë sanksionet e para, pasi, sipas tij, Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti nuk përfilli këshillat e tyre.

I pyetur rreth takimit që Hovenier zhvilloi së fundmi me presidenten Vjosa Osmani dhe nëse ajo është pjesë e politikave të ekzekutivit kosovar, ai tha se nga takimet e zhvilluara, Osmani ka treguar gatishmëri për konstruktivitet.

“Mendoj që nuk është në rregull që unë të flasë për dinamikën që ekziston në mes të institucioneve të Kosovës, por ajo që dua të theksoj është që Presidentja Osmani në mënyrë konsistente e ka theksuar rëndësinë që ajo i vë mbajtjes së koordinimit dhe bashkëpunimit të plotë dhe të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, me fokus të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – ka thënë ambasadori amerikan.

“Unë besoj që kjo është diçka që ajo e merrë shumë seriozisht” – ka deklaruar Hovenier.

17:17 – Ambasadori Hovenier: Kurti nuk ka reaguar ndaj kërkesave tona, po i mendojmë hapat e mëtutjeshëm

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka konfirmuar se kanë pasur kërkesa në drejtim të kryeministrit Kurti që të marrë masa urgjente për të arritur de-eskalimin në veri, por që nuk kanë parë ndonjë reagim nga ana e tij.

Ambasadori Hovenier ka konfirmuar se vendimi për të përjashtuar Kosovën nga pjesëmarrja në Europe Defender 23 është marrë gjatë natës.

“Ashtu siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe si kemi thënë ne, kjo do t’i afektojë marrëdhëniet tona biletarele. Indikacioni i parë i kësaj është vendimi i Gjeneral Komolit, udhëheqësit të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë për të përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Europe Defender 23 që ndodhi gjatë natës dhe, siç e keni parë, sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë. Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund. Jemi duke mendu për implikime tjera” – tha Hovenier gjatë bisedës me gazetarë.

“Më duhet të them që në këtë moment i kemi kërku kryeministrit Kurti të marrë hapa urgjent që të arrijë de-eskalim në veri. Nuk ka reagu ndaj këtyre kërkesave tona. Kështu që jemi duke mendu se cilat do të jenë veprimet tona të mëtejshme. Mirëpo në këtë moment nuk do të gjeni shumë entuziazëm prej anës së SHBA-së të reagojë ndaj interesave tjera të Kosovës, si për shmebull të angazhohemi me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën ose që të punojmë aktivisht në trajektoren e integrimit evropian e ndërkombëtar të Kosovës” – tha në mes tjerash Hovenier.

17:07 – Hovenier: Operacioni për t’i asistuar kryetarët të hyjnë në ndërtesa të Kuvendit nuk u koordinua me ShBA-në

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka konfirmuar se vendimi që kryetarët e zgjedhur të 3 komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan të hyjnë në ndërtesat komunale me asistencë të Policisë së Kosovës ishte i pakoordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi shumë të brengosur për situatën në veri. Mendojmë që kjo ishte një krizë, nga perspektiva jonë, e panevojshme. Operacioni që ka ndodhë të premten për të siguruar qasje me dhunë në ndërtesat komunale ishte i pakoordinuar me SHBA-të. Kur e kuptuam që kjo po ndodhë, këshilluam që kjo të ndalet sepse i parashikuam pasojat të cilat po i shohim tash” – tha ambasadori Hovenier në një bisedë me gazetarët kosovarë.

Sipas tij, ky askion ka pasur pasoja negative për reputacionin e Kosovës, duke e kthyer mbrapa.

“Besojmë që (ky aksion) ka pasur pasoja negative për reputacionin e Kosovës, e ka kthyer prapa procesin e avancimit, normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe si kemi thënë ne, kjo do t’i afektojë marrëdhëniet tona biletarele” – tha në mes tjerash Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Kallxo.com sjell bisedën të cilën me autorizim të ambasadës amerikane jemi duke e publikuar.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp sot me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheq Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Po ashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

“Kriza që është krijuar ka qenë totalisht e panevojshme, kryetarët e komunave kanë pasur mundësi të punojnë prej ndërtesave tjera administrative që gjenden në këto komuna, pra s’ka qenë fare e domosdoshme të insisitojnë të hynë në këto objekte” – tha Hovenier gjatë bisedës me gazetarë.

Hovenier mes tjerash theksoi që në këtë situatë nuk mund të pritet që ka çfarëdo disponimi për vizita të zyrtarëve të Kosovës në SHBA dhe anasjelltas.

Lidhur me pyetjet se a po qortohet edhe Serbia që i ka dërguar trupat e ushtrisë në afërsi me kufirin e Kosovës, Hovenier tha që kurrë nuk është lajm i mirë që një shtet fqinj të mobilizojë forcat që të kërcënojnë nga veriu, por në këtë moment është më urgjente që qeveria e Kosovës t’i ndal aksionet e veta në këto 3 komuna.

Lajmi në zhvillim…