Trepça - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Minatorët e Trepçës ende nuk e kanë marrë gjysmën e rrogës për muajin qershor

Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” ende nuk i kanë rrogat e plota për muajin qershor.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi.

Ai tha se 40% të pagës pritet ta marrin sot gjatw ditës.

“50% e pagës ka dalë, 40% do të dal sot deri në orën 16:00. Pra, derisa të vijnë një pjesë e parave, pagesave, të koncentratit do të përmbushet paga e plotë”- ka thënë Januzi.

Ai tregoi arsyet e vonesës së pagave për minatorët.

“Arsyeja kryesore është mungesa e mjeteve financiare. Për komplet stafin punues me rreth 1250 punëtorë ka pasë vonesa”- theksoi kryetari i Sindikatës së Minatorëve.

Tutje, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës tha se premtimi i cili iu bë punëtorëve për realizimin e pagës deri ditën e premte nuk u realizua.

“Deri në orën nëntë ka pas pakënaqësi të punëtorëve, u është premtuar që deri të premten do të përmbyllet realizimi i plotë i pagës mirëpo nuk është mbajt ai premtim”- pohoi ai.

Kryetari i Sindikatës përfundoi se sindikata i përkrah të drejtat e punëtorëve sepse i shohin që janë ankesa të drejta dhe legjitime.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga menaxhmenti, kryeshefi i Ndërmarrjes publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani, po i njëjti nuk është përgjigjur.

Po ashtu, është kontaktuar edhe kryetari i Bordit të “Trepçës”, Bahri Hyseni, por as ai nuk është lajmëruar.