Sami Lushtaku e Hashim Thaçi - Foto: Facebook/SamiLushtaku

Milaim Zeka: Jam takuar me Veselin, Lushtakun dhe Thaçin për koalicion me PDK

Kryetari i Partisë Euro Atlantike, Milaim Zeka në një debat televiziv të organizuar në Televizionin Klan Kosova ka deklaruar se ka qenë pjesë e një takimi ku është biseduar për arritjen e një koalicioni mes partisë së tij dhe PDK-së.

Sipas Zekës, në këtë takim ka qenë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Ka pasë bisedime nga ana e Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut, kemi bo bisedime edhe në prezencën e presidentit të Kosovës, për një koalicion të mundshëm me PDK-në dhe kam thënë në mënyrë kategorike jo”, ka thënë Zeka në Televizionin Klan Kosova, më 11 shtator.

Mirëpo, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk mund të ushtroj funksion në asnjë parti politike.

KALLXO.com ka kontaktuar me kabinetin e presidencës, por ata nuk kanë dashur ta komentojnë deklaratën e Zekës.

Këshilltari politik i presidentit, Adil Behramaj shkurtimisht tha se ata si zyre nuk i komentojnë deklaratat e zyrtarëve të partive politike, duke mos dashur të flasë për pretendimet e Milaim Zekës për një takim të tillë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me kryetarin e degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakun, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Hashim Thaçi para se të bëhej president ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj.

Pas kalimit të Thaçit në presidencë, postin e kryetarit të PDK-së e ka marrë Kadri Veseli.

Ky i fundit tani është kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 6 tetorit.