Mërgimtari tregon vështirësitë dhe koston për t`u pajisur me dokumente në Ambasadën e Kosovës në Stokholm

Rreth 300 euro shpenzime, e 600 kilometra rrugë me tren dhe një ditë pune ka qenë kostoja që i është dashur ta bëjë Liridon Kozhani për t`u pajisur me pasaportë dhe letërnjoftim në Ambasadën e Kosovës në Stokholm.

Në një intervistë për KALLXO.com, Kozhani ka treguar vështirësitë dhe procedurat ‘burkoratike’ që i është dashur t`i ndjek për t`u pajisur me këto dokumente, duke filluar nga humbja e një dite pune si dhe qindra eurove për këto shërbime.

“Parimisht, ambasadat krijohen për të jua lehtësuar jetën njerëzve që jetojnë jashtë vendit, duke ju mundësuar shërbime më të mira, pse këtu kushton 200 euro e në Kosovë 30 euro e njëjta procedurë, plus nuk ka faturë valide që kushton 200 euro. Fatura që e kam marrë unë ka qenë 30 euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, pasaporta të cilën ai e ka paguar rreth dy mijë kruna, mund të vonohet 2-4 javë, dhe prapë se prapë nuk shkon në vendbanimin e tij.

“Nëse posta kushton aq shtrenjtë, afërsisht 170 euro, pse pasaporta vije njëherë tek Ambasada e Kosovës, pastaj prej ambasadës unë kam paguar edhe 10 euro ekstra pulla postare për të ardhur posta tek shtëpia në Suedi”, shtoi ai.

Për Kozhanin problematike është edhe koha e shkurtër e termineve të cilët i vendos ambasada.

“Ambasada për termin, punon nga ora 10 deri në orën 14:00, unë kam dashur ta marrë terminin më vonë për shkak që është e pamundur 600 kilometra me mbërri në kohë atje në një termin kaq të shkurtër, i kanë terminët shumë të shkurtra, që nëse nuk arrin me kohë dështon”, theksoi ai.

Kozhani i cili në Suedi jeton që nga fundi i vitit 2014 ka kritikuar edhe mënyrën e sjelljes së personelit të ambasadës karshi qytetarëve që kërkojnë shërbime aty.

“Mënyra sesi punojnë, i telefonon, janë shumë arrogant, janë dy orë kur punohet 11-12 dhe 13-14 edhe përfundon dita, nuk i intereson nëse mund të mos e arrish terminin. Aty ambasada nuk ka pasur as zyre të mirëfilltë, as tualet as kurrgjë hiq”, tha ai.

Sipas Kozhanit, kjo ambasadë është e pamjaftueshme për t`u ofruar shërbime të gjithë qytetarëve që jetojnë në Suedi.

“Ambasada e Kosovës në Suedi duhet ta ketë edhe një konsullatë, dikund poshtë në jug, për shkak se relievi i Suedisë është shumë i madh, dhe një qytetarë për të udhëtuar nga 600 km në një drejtim është shumë e mundimshme, unë më afër e kam pasur Berlinin se Stokholmin”, theksoi ai.

Për të, përveç procedurave të mundimshme, çmimet e larta janë aspak të favorshme për qytetarët.

“Të gjithë njerëzit që punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ambasada se personat të cilët aplikojnë për pasaportë të shtetit amë, në këtë rast të Kosovës, ata nuk qëndrojnë shumë mirë financiarisht sepse ata kanë 2-3 vite që kanë ardhur këtu, përndryshe nuk aplikojnë për pasaportat kosovare, i marrin këto të shteteve evropiane”, tha ai.

Seksioni Konsullor i Republikës së Kosovës në Stokholm ofron shërbime konsullore për shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë në: Suedi, Finlandë, Norvegji, Islandë, Letoni, Lituani dhe Estoni.

Në uebfaqen e kësaj ambasade bëhet e ditur që çmimi për t`u pajisur me pasaportë është 150 euro për qytetarët mbi 18 vjeç, ndërsa për letërnjoftim është 50 euro.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se këto çmime janë të vendosura që nga viti 2015.

“Çmimet për pajisje me dokumente të identifikimit janë vendosur me vendimin e datës 28 shtator 2015, Vendimin NR. 131/15  për Përcaktimin e Taksave për Shërbime Konsullore. Mjetet që mblidhen nga këto shërbime, derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e MPJD-së.

Tutje në përgjigjet për KALLXO.com, nga MPDJ kanë thënë se çmimet për këto shërbime janë të përafërta me koston e shpenzimeve për pajisjen me dokumentin të cilin e kërkon pala.

“Gjithsesi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, bashkë me institucionet tjera të përfshira për prodhimin e këtyre dokumenteve, pritet të bëjë një analizë edhe sa i përket çmimores së caktuar për ofrimin e shërbimeve në fjalë”, thuhet në përgjigje.

Sipas ministrisë, gjatë vitit 2021, deri në muajin shtator, për pasaportë kanë aplikuar gjithsej 380 qytetarë, ndërsa për letërnjoftim kanë aplikuar 136 qytetarë.

Ndërsa gjatë vitit 2020, për Pasaporta kanë aplikuar 352 qytetarë, kurse për Letërnjoftim kanë aplikuar 107 qytetarë.