Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi: Nuk ndjehem i kërcënuar por është vlerësim i organeve të sigurisë pas ngjarjeve në veri

Policia e Kosovës u ka ofruar mbrojtje të afërt kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, të hënën.

Në lidhje me këtë, Krasniqi të martën para gazetarëve tha se nuk është ndjerë kurrë i kërcënuar dhe se ka qenë vlerësim i Policisë së Kosovës që të ju ofrojnë mbrojtjen e afërt.

Pa dhënë detaje të tjera, Krasniqi tha se arsyet duhet t’i tregojnë organet e rendit, por që sipas tij, vendimi ndërlidhet me “zhvillimet dhe situatën e tensionuar dhe të përkeqësuar pas sulmeve në veri të vendit”.

“Nuk jam, as nuk jam ndje kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë rrjedhë informacione ose publiku informacione për kërcënime me vrasje edhe para pak muajsh. Por ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë, në këtë rast i Policisë së Kosovës edhe me organe të tjera të ndërlidhura, që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye besoj që ata duhet të tregojnë, por që ndërlidhen me zhvillimet dhe situatën e tensionuar dhe të përkeqësuar pas sulmeve në veri të vendit”- deklaroi Krasniqi.

Të hënën zëdhënësit e partive PDK dhe LDK konfirmuan se liderëve të tyre u është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës.

“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”- tha Valmir Klaiqi i PDK-së, për KALLXO. com, pa dhënë detaje për arsyen për këtë masë.

“Po, lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktone Policinë e Kosovës!” – ka thënë Sibel Halimi e LDK-së për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë detaje në lidhje me rastin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

 

Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku vihen nën mbrojtjen e Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë