Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku vihen nën mbrojtjen e Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë

Policia e Kosovës u ka ofruar mbrojtje të afërt kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i PDK-së, Valmir Klaiqi.

“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”- tha Klaiqi, pa dhënë detaje për arsyen për këtë masë.

Ndërsa, Sibel Halimi, ka konfirmuar informatën rreth kreut të LDK-së.

“Po, lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktone Policinë e Kosovës!” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë detaje në lidhje me rastin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.