Memli Krasniqi kërkon nga Kurti angazhim më të madh për rikthimin e policëve të kidnapuar

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kërkoi nga Qeveria e Kosovës të ketë angazhim më të madh për rikthimin në Kosovë të tre policëve të kidnapuar të mërkurën në veri.

Krasniqi tha se në këto momente, jeta e zyrtarëve policorë, vjen para se gjithash.

“Qeveria duhet të ketë angazhim me të madh dhe konkret. Neve na duhet mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës. T’i ftojmë forcat e KFOR-it të shtojnë forcat. Tani para së gjithash më e rëndësishmja është jeta e tre zyrtarëve policorë, akoma as ne e as ju nuk keni asnjë lajm, as se ku janë as se si janë, as çfarë po ndodh me ta”- tha Krasniqi.

Ai tha se e kanë ftuar kryeministrin të raportojë në mënyrë që të marrin informacione më konkrete.

“A është vendosur ndonjë kontakt me policët e arrestuar, a është kërkuar ndihma e organizatave ndërkombëtare që në raste të tilla luajnë rolin e ndërmjetësuesve, a është kërkuar ndihma e aleatëve tanë?”- u shpreh Krasniqi.

Raportimi në Kuvend vjen pas kërkesave të partive opozitare PDK, LDK dhe AKK, të cilët kërkuan që kryeministri të raportojë sot për situatën e krijuar në vend.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot tha se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi, në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me Serbinë.

Ai ka thënë se rasti i kidnapimit të tre policëve të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune, nuk mund të krahasohen.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.