Foto: Ilustrim

Me automjetin e marrë me qira, kryen vjedhje serike

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është arrestuar si i dyshuar për tetë vjedhje nga shtëpitë në fshatin Budakovë të Suharekës.

Sipas komunikatës për media, të tetë vjedhjet janë kryer nga data 20 prill e këtej.

Me datë 26 prill 2021, në mbrëmje policët hetues vërejtën një automjet të dyshimtë në këtë zonë dhe filluan me verifikimin e tij.

“Automjeti ishte pronë e një kompanie e cila i jepte me qira (renta) nga Ferizaj. Pas verifikimit dhe kontaktimit me kompaninë, hetuesit identifikuan edhe personin e dyshimtë i cili e kishte marrë në shfrytëzim. Madje përmes pajisjes GPS verifikuan edhe lëvizjet e fundit dhe në bazë të lëvizjeve, automjeti kishte qenë në të gjitha lokacionet ku ishin kryer vjedhjet”, thuhet në komunikatë.

Në këtë rast u ndalua i dyshimti P.F i lindur në vitin 1996 dhe u intervistua në praninë e avokatit mbrojtës, i njëjti i pranoi të gjitha veprat penale të cilat i kishte kryer në bashkëpunim edhe me një të dyshuar tjetër, i cili tani është i njohur për policinë por ndodhet në arrati.

“Të dyshimtit përdorën automjetin me qira për të kryer vjedhje në këtë zonë dhe brenda automjetit, policia gjatë kontrollimit, gjeti edhe një armë lodër. Hetuesit informuan Prokurorin e Shtetit i cili vendosi që i dyshimti të ndalohet në mbajtje në afat për 48 orë. Rasti është duke u hetuar dhe zyrtarët janë në kërkim edhe të personit tjetër të dyshimtë, për të cilin kanë njohuri mbi identitetin e tij”, thuhet tutje në kumtesë.