Ilustrim

“Mbrojtja e pyjeve 2021”, tridhjetë ditë paraburgim ndaj tetë të dyshuarve

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q.

Ata po dyshohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, veprën penale marrja e ryshfetit kurse S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., dyshohen edhe për kryerjen e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjykata njofton se Gjyqtari i procedurës paraprake  pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar faktin të pandehurit gjatë vitit 2020, në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, kanë shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit, me dashje nuk kanë kryer detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e pyjeve, përgjegjësitë dhe obligimet e rojës së pyllit, në atë mënyrë që edhe përkundër faktit se janë të obliguar që në momentin kur hasin dëmtuesit e pyjeve duke pre dru në mënyrë të kundërligjshme, t’iu shqiptojnë fletëparaqitje, të njëjtit nuk e bëjnë fare një gjë të tillë por arrijnë marrëveshje me ta dhe si kundërvlerë për mos shqiptimin e fletëparaqitjeve, marrin shuma të ndryshme të të hollave nga ata duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt.

Ndërsa, të pandehurit S.M., A.B, A.A, B.B., H.B., dyshohet se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, përkatësisht tek të dyshuarit me rastin e kontrollit nga ana e policisë në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë armë gjuetie, dy armë zjarri, gjashtë karikatorë të revoles, dy karikatorë të kallashnikovës, 20 fishekë të kalibrit 9mm, 30 fishekë të kalibrit 7.65, katër fishekë të kalibrit 12 mm, 13 telefona mobil, një çekan për damkosje si dhe fletore gjepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë dhe të tjera.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësve të të pandehurve që të caktohet masa e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme, sepse  po të gjenden të pandehurit në liri mund të ndikojnë tek dëshmitarët dhe do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, përfundon njoftimin e saj Gjykata.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për rast.

Dosja e Prokurorisë – Rojet e pyllit në Ferizaj u filmuan duke marrë ryshfet