Policia i kërkoi të bastisin shtëpinë e Sokol Halilit, Prokuroria kërkoi nga Gjykata një urdhër 21 ditë pas intervistimit të viktimës

Prokuroria e Ferizajt ani pse ishte në dijeni se Hamide Magashi kishte raportuar se ishte kërcënuar me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, një kërkesë për bastisjen e shtëpisë së Sokol Halilit e bëri 21 ditë pas raportimit të rastit të dhunës në familje.

KALLXO.com mëson se fillimisht ka qenë Policia e rajonit të Ferizajt që e ka njoftuar Prokurorinë e Ferizajt se gjatë intervistës viktima kishte raportuar se ishte kërcënuar edhe me armë zjarri.

Kërkesa e Policisë për bastisje i ishte drejtuar Prokurorisë më 7 korrik 2022.

Prokuroria i ishte drejtuar me kërkesë Gjykatës së Ferizajt 21 ditë më vonë, më saktësisht më 27 korrik të këtij viti.

Gjykata kishte marrë vendim që bastisja të zhvillohej më 29 korrik dhe pas bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit u gjetën dy armë zjarri.

Më 6 korrik Hamide Magashi kishte raportuar në Polici se ndaj saj ishte ushtruar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj Sokol Halili.

Në kallëzimin penal që ka siguruar KALLXO.com përmendet fakti se viktima ishte intervistuar nga hetuesit policorë dhe atyre u kishte treguar se Sokol Halili disa herë e kishte kërcënuar me armë.

Me këto pretendime ishte përballur gjatë intervistimit edhe Sokol Halili, i cili kishte mohuar se posedon armë zjarri pa leje.

“Viktima është intervistuar në prezencë të punëtorit të QPS, e cila fillimisht kishte deklaruar se i dyshuari vazhdimisht e ka dhunuar psicikisht duke i thënë se do ta vras burrin e motrës dhe do të bëj marrëdhënie në prezencën tënde, njëherit ankuesja deklaron se deri sa ishte në marrëdhënie pune pagën gjithmonë ja ka dorëzuar të dyshuarit, bashkëshortit të saj të cilin e kishte pa kurorë si dhe ja ka paguar gjobat për kundërvajtje”- thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

Tutje KALLXO.com mëson se urdhri për bastisje nuk ishte bërë nga prokurori që e kishte marrë në trajtim rastin në ditën kur ishte raportuar rasti nga Hamide Magashi.

Kërkesën për bastisje e ka bërë Policia Rajonale në Ferizaj më 7 korrik, një ditë pas marrjes në intervistë të viktimës dhe kërkesën ia ka dorëzuar Prokurorisë së Ferizajt, më saktësisht Departamentit për Krime të Renda.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com nuk përmendet data se kur është dorëzuar kërkesa në Gjykatën e Ferizajt, por ajo që vërehet është se urdhri ishte lëshuar për bastisje më 29 korrik 2022, 23 ditë pas marrjes së informacionit për armët.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse më saktësisht në dhomën e fjetjes në katin e dytë kemi gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie për të cilin nuk posedonte asnjë dokument mirëpo gjatë verifikimin në data bazën për armë në Shtime del se prindi i të dyshuarit (Sokol Halilit) kishte ri- aplikuar për vazhdimin e lejes për armë”- thuhet në dokument.

Tutje përmendet se edhe një armë tjetër ishte gjetur e që ishte e të dyshuarit Sokol Halili.

“Ndërsa në oborr kemi gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz me karikator të zbrazët, armë kjo e fshehur në një filtër ajri të mjeteve transportuese”- thuhet po ashtu në dokument.

KALLXO.com po raporton në vazhdimësi për detaje të reja që dalin nga rasti i vrasjes së Hamide Magashit, 35-vjeçarja që u vra në oborrin e QKUK-së mbrëmë.

Lidhur me pretendimet për Sokol Halilin, KALLXO.com ka kontaktuar avokatin e tij, Behar Sejda, por ai nuk pranoi të flasë për rastet e klientit të tij.

“Me gjithë respektin, nuk kam autorizim nga klienti të flas për rastet”- tha shkurt Sejda për KALLXO.com.