Foto: KALLXO.com

Mbrojtësi i Nenad Rikallos: Gjejeni një ekspert tjetër ose urdhëroni një super-ekspertizë!

Mbrojtësi i ish-ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo, Miodrag Bërklaq, i pakënaqur me ekspertizën e ekspertit financiar, kërkoi nga Gjykata që të caktohet një ekspert tjetër për këtë rast ose të urdhërohet një super-ekspertizë.

Këtë kërkesë Bërklas e bëri në seancën e gjykimit të ish-ministrit Rikallo dhe të pandehurve të tjerë, të akuzuar se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën prej rreth 4 milionë euro.

“Nuk mundeni të mbështeteni në ekspertizën e këtij zotëriut. Kjo nuk mund të jetë bazë për një aktgjykim. Ose refuzojeni, ose gjejeni një ekspert tjetër ose urdhëroni të bëhet një super-ekspertizë, që ta bëjnë dhe hartojnë njerëzit që kuptojnë në këtë materie”- tha mbrojtësi Bërklaq.

Avokati pretendoi që lidhur me këtë lëndë ka pasur diskutime të strukturave politike e që kanë mundur të interpretohen si presion direkt për gjykatën dhe nga të gjitha këto arsye nga aspektin financiar t’i kushtohet një kujdes i shtuar dhe të merret një ekspert pak më profesional për këtë çështje.

I njëjti në kundërshtimet dhe vërejtjet lidhur me ekspertizën financiare potencoi që eksperti Ramadan Ferizi nuk është përgjigjur direkt në asnjë pyetje të mbrojtësve, të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tjerë.

“Gjykatës edhe ju jeni dëshmitarë që ky zotëriu nuk është përgjigjur në asnjë pyetje direkte nga ana e mbrojtësve, të mbrojturit tim dhe kolegëve të mi si dhe në pyetjet e trupit gjykues, edhe vetë është deklaruar që ka dëshirë të përgjigjet shumë përreth”- tha tutje Bërklaq.

Lidhur me kundërshtimet dhe vërejtjet që i potencoi Bërklaq u pajtua edhe Nenad Rikallo, i cili tha që të dhënat që janë ilustruar dhe treguar në ekspertizë janë të pasakta.

“Absolutisht pajtohem me të gjitha ato që i tha avokati. Do të shtoja një detaj i cili është, ka të bëjë pikërisht me aspektin financiar, të dhënat që janë ilustruar dhe treguar nuk janë të sakta në tërësi… Detyra e tij ishte të gjejë saktësisht dhe ato të dhëna të sakta të na tregojë neve, vërejtja ime është në saktësinë e të dhënave që ai i ka shprehur në ekspertizë” –  tha Rikallo.

Kryetari i trupit gjykues gjatë marrjes në pyetje të ekspertit financiar kërkoi nga ky i fundit që të përgjigjet direkt në pyetje, pasi në vazhdimësi kishte dhënë përgjigje duke thënë që të referoheshin në faqet e caktuara të ekspertizës.

Kështu që kryetari i trupit gjykues kërkoi nga eksperti që të përgjigjet vetëm me po ose jo në pyetjet që do t’i drejtoheshin në vazhdim.

Përndryshe Ferizi në seancën e datës 30 janar kishte dhënë sqarime të detajuara lidhur me përpilimin e ekspertizës.

Në këtë rast po akuzohen Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, e cila në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”.