Nenad Rikallo në gjyq - Foto: KALLXO.com

Fillon rishtazi gjykimi ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe të tjerëve për korrupsion

Në Gjykatën e Prishtinës ka filluar rishtazi gjykimi ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, dhe ndaj Kapllan Halimit, Shefki Zeqirit, Ekrem Gjokës, Shkëlzen Morinës, Leon Thaçit, Lindar Krasniqit dhe Albana Zeqirit.

Gjykimi rishtazi ka filluar pasi që kishin kaluar tre muaj që nga mbajtja e shqyrtimit të fundit gjyqësor, pasi që nga ana e Gjykatës ishte kërkuar ekspertizë financiare për këtë rast.

Të njëjtit nga Prokuroria Specialë po akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

Në cilësinë e dëshmitarit në këtë seancë u dëgjua eksperti financiar, Ramadan Ferizi, i cili kishte punuar në vitet ‘80 si inspektor në lëmin e financave kurse pas vitit 1999 kishte menaxhuar të gjitha punët nga lëmi i financave në disa institucione.

Ferizi në ekspertizën e tij bazuar në pasqyrat financiare të vitit 2018 ka konstatuar se kishin mbetur detyrime të papaguara ndaj fermerëve për subvencione dhe grante.

“Në fund të faqes 16 sipas pasqyrës financiare të vitit 2018, në faqen 13 të pasqyrave financiare kanë mbetur detyrime të papaguara ndaj fermerëve për subvencione dhe grante, shuma prej mbi 3 milionë euro për të cilit fermerëve u janë lëshuar vendimet për pagesë por në mungesë të mjeteve nuk është realizuar pagesa e tyre”- tha eksperti financiar.

Eksperti për këto të dhëna kishte konfirmim edhe nga udhëheqësit e Ministrisë, dhe se të gjitha këto gjetje ishin të bazuara në pasqyrat financiare të vitit 2018.

“Se kjo ka ndodh kështu dhe është e saktë e kanë  konfirmuar edhe vetë udhëheqësit e Ministrisë. Ju lutem ta shikoni raportin e auditorit për auditimin e Ministrisë për vitin 2018 në të cilin shkruhet se të gjitha të gjeturat e auditorit janë të sakta dhe të konfirmuara, gjitha këto, eksperti nuk i ka marrë vetë por nga pasqyrat financiare për vitin 2018”- tha tutje eksperti.

Tutje eksperti shtoi që sa u përket prioriteteve të Qeverisë në lidhje me buxhetin e vitit 2018 nuk kishte pasur kërkesë nga asnjë departament në kuadër të Ministrisë që të kërkohen mjete me qëllim të buxhetimit të programit të veçantë, madje nuk ishte i paraparë as me kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitin 2018.

Në pyetjen e avokatit të të akuzuarit Nenad Rikallo, Miodrag Bërklaq, se a ishte përmendur programi i veçantë për buxhetin 2018, pasi që buxheti ishte sjellë shumë më herët, Ferizi tha që asnjë departament që operon nuk ka bërë kërkesë për buxhetin e këtij programi.

“Asnjë nga departamentet që operojnë, zhvillojnë aktivitet në kuadër të Ministrisë nuk ka bërë kërkesë për buxhetin e këtij programi të veçantë”- u përgjigj Ferizi.

Ferizi tha që mjetet për programin e veçantë ishin paguar nga fondi buxhetor 40700, i cili ishte kategori buxhetore e ku ka pasur mjete të buxhetuara në kuadër të këtij kodi.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Kapllan Halimit, Artan Qerkinit, se një masë e kontraktuar me USAID për pemë manore a ka qenë program i rregullt apo i veçantë, Ferizi tha që shpjegimin e kishte marrë që 2 milionë iu kanë dhënë USAID-it dhe nuk mund të konstatojë se a ka qenë i veçantë apo jo.

“Shpjegimin qysh e kam marrë është që mbi 2 milionë iu kanë dhanë USAID-it dhe nuk mund të konstatoj se a ka qenë program i veçantë apo jo”- tha në fund eksperti.

Në këtë rast po akuzohen, Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet, se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.