Rasti ndaj ish-ministrit Rikallo dhe të tjerëve, Prokuroria precizon dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit

Ish ministri i Bujqësisë , Pylltarisë dhe zhvillimit Rural (MBPZHR) Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve.

Mbi ta rëndon akuza se në cilësi të zyrtarëve të Ministrisë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4 milionë euro, e për këto sot parashihej dhënia e fjalëve përfundimtare nga palët.

E njëjta seancë u shtye, pas njoftimit të prokurorisë se kishte bërë precizim të dëmit i cili i ishte shkaktuar buxhetit të Kosovës nga të akuzuarit.

E shuma e precizuar sipas prokurorisë tashmë është 3,356,035.77 euro, ky precizim sipas prokurorisë ka ardhur pas shikimit dhe analizimit të ekspertizës financiare të përpiluar nga eksperti Ramadan Ferizi.

Për këtë rast në janar të këtij viti Ferizi kishte shtjelluar detajisht përpilimin e asaj ekspertize.

Prokuroria përpos precizimit të dëmit, njoftoi gjykatën së ka shtuar edhe disa ligje, ligje të cilat përmenden në ekspertizë dhe të cilat lidhen me dëmin.

E lidhur me këto ndryshime  të prokurorisë fillimisht nuk u pajtuan mbrojtësit e të akuzuarve Nenad Rikallo dhe Kapllan Halimit, avokatët Miodrag Brklajq e Artan Qerkini.

“Përnjëherë e kemi një ndryshim të bazës ligjore e jo faktike, pa tregu fare se cilat prova, cilat fakte dhe për cilët të pandehur”- tha Qerkini.

E pas ngritjes së çështjeve për precizim të neve referuar ligjeve të caktuara, prokuroria kërkoi që të shtyhet seanca për një datë tjetër dhe palëve të ju dërgohet në mënyrë elektronike detajet lidhur me këto precizime.

Kurse gjykata mori vendim me të cilin e obligoj prokuroren e shtetit që brenda 10 ditëve të përmbush këtë detyrim.

“Obligohet prokuroria e shtetit që në afat prej 10 ditësh të bëjë një parashtresë, ku duhet të precizohen saktësisht, veprimet e të akuzuarve në raport me shkeljet e ligjeve që i ka potencuar prokuroria si dhe neneve përkatëse ashtu që e njëjta parashtresë do t`i dorëzohet mbrojtësve të cilët kanë të drejtë që nëse është e nevojshme të propozojmë edhe ndonjë provë në raport me ndryshimet”- mori vendim Gjykata.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datën 25 maj të këtij viti.

Në këtë rast po akuzohen, Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet, se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.