Foto: KALLXO.com

Akuzohen se e dëmtuan buxhetin për 4 milionë euro, gjykimi i ish-ministrit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë prek fundin

Gjykimi ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, dhe të akuzuarve të tjerë në këtë rast – Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, i është afruar fundit.

Mbi ta rëndon akuza se në cilësi të zyrtarëve të Ministrisë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë 4 milionë euro.

Për sot ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare nga palët.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu, në këtë seancë kërkoi nga Gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë pasi që këta të fundit i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm të konsiderueshëm.

“Andaj konsideroj se pas administrimit të të gjithë këtyre provave pa mëdyshje është vërtetuar se veprimet e të pandehurve janë manifestuar elementet e veprave penale…, pra është vërtetuar se të akuzuarit me qëllim që të përfitojë tjetri kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme duke shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës siç është përcaktuar edhe në aktakuzën e ndryshuar”- tha ajo.

E shuma e precizuar që ishte bërë në seancën e kaluar sipas Prokurorisë tashmë është 3,356,035.77 euro. Ky precizim, sipas Prokurorisë, ka ardhur pas shikimit dhe analizimit të ekspertizës financiare të përpiluar nga eksperti Ramadan Ferizi.

Prokurorja tha se emërtimit i këtij procesi i njohur si  “Grantet” ka marrë emrin e tillë pasi që të njëjtat ishin dhënë në mënyrë të kundërligjshme.

“Ky rast penal është emëruar në fillim si rasti ‘Grantet’ për shkak se veprat penale ndërlidhen me grantet, nga provat që janë administruar pa mëdyshje është vërtetuar se kemi të bëjmë me grante që janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të fitimit të kundërligjshëm për tjetrin”- tha Salihu.

E në anën tjetër lirim të të akuzuarve kërkuan të gjithë mbrojtësit që përfaqësonin të pandehurit në procedurë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Rikallo, avokat Miodrag Bërklaq, tha se ka pritur që sot Prokuroria të heqë dorë nga kjo aktakuzë dhe i njëjti ka kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij.

“Unë po ju them shumë sinqerisht që kam menduar që prokurori do të heqë dorë nga kjo aktakuzë”- tha Bërklaq.

Lidhur me këtë rast u deklarua edhe vetë i akuzuari Nenad Rikallo, i cili tha se ky është një rast specifik dhe i njëjti mund të ketë pasoja në punën e Qeverisë dhe të ministrave të tjerë që kanë vepruar njësoj, në rast se Gjykata e vërteton akuzën e Prokurorisë.

“Ky është një rast specifik  i cili mund të ketë pasoja në punën e Qeverisë sepse nëse vendimi i juaj e vërteton aktakuzën, atëherë të gjithë ministrat të cilët kanë sjellë programe të veçanta jashtë programeve të rregullta dhe te gjithë ministrat tjerë që kanë dëshirë diçka të ndryshojnë dhe të sjellin programe të tjera do të jenë të kufizuar seriozisht në këtë lloj të veprimit”- tha Rikallo.

Se kërkojnë lirimin e të mbrojturve të tyre u deklaruan njëzëri të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

Trupi gjykues me në krye Mentor Bajraktarin, Suzana Qerkinin dhe Violeta Namanin njoftuan palët se shpallja për këtë rast do të bëhet më 1 qershor të këtij vit.

“Duke marrë për bazë numrin e të akuzuarve si dhe materialin që është shqyrtuar në këtë gjykim shpallja do të bëhet me datën 1 qershor”- njoftoi palët trupi gjykues.

Në këtë rast po akuzohen, Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, e cila në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.