ARKIV - Nenad Rikallo

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo dhe 7 zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktakuzën ndaj Nenad Rikallos, ish-ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), sekretarit të përgjithshëm të kësaj Ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për ndarjen e kundërligjshme të granteve në vlerë 4 milionë euro.

Ankesë ndaj vendimit të Gjykatës së shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës kishin bërë mbrojtësit e të akuzuarve.

Kurse Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa kishte gjetur se ankesat janë të pabazuara.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Apelit ku thuhet se sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit pretendimet e  ankimore nuk janë të bazuara.

“Sepse me aktvendimin për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provës, gjykata e shkallës së parë është kujdesur dhe ka vlerësuar në mënyrë të drejtë duke dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës PPS.nr.55/2019 të datës 26.12.2019, e në bazë të gjendjes faktike të aktakuzës dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen, ndërsa tani për tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej bazave ligjore për të cilën mund të kundërshtohet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par. 1 nën par.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të KPPK-së”, thuhet në vendimin e marrë nga gjyqtarët Kreshnik Radoniqi, Gordana Vlashkoviq dhe Burim Ahmeti,

Tutje në vendim e Apelit thuhet se sipas vlerësimit të kësaj Gjykate në aktvendimin e kundërshtuar, Gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor, duke u bazuar në provat të cilat janë propozuar në aktakuzë të cilat dëshmojnë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat po akuzohen.

“Nga veprimet e ndërmarra nga ana e të pandehurve, prokuroria ka dëshmuar me prova materiale të cila i ka propozuar në aktakuzë (faqe 4 dëshmitarët, si dhe provat për administrim në shqyrtim gjyqësore faqe 4-5), se të pandehurit kanë kryere veprën penale për të cilën po akuzohen, dhe se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilat janë akuzuar te pandehurit, dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë me te cilat i ka propozuar prokuroria në aktakuze si të cekura më lartë’, thuhet në vendim e saj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në (MBPZhR), duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë Ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin për t’u mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale , duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vetë ministri Rikallo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë Ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar udhëzimin administrativ për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR)  duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi.

Tutje thuhet se duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural. Kështu i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konsorciumin “Novus” për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konsorciumin “Dhemetra” për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konsorciumin “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me udhëzimin administrativ për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”.

https://kallxo.com/ligji/ish-ministri-nga-lista-serbe-dhe-zyrtaret-e-larte-te-ministrise-se-bujqesise-dalin-ne-gjyq-per-grantet-e-ministrise/