Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda dakordohen për një 'koalicion ndërkombëtar' për ta ndihmuar Ukrainën në sigurimin e avionëve F-16

Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe udhëheqësi holandez Mark Rutte kanë rënë dakord të formojnë një “koalicion ndërkombëtar” për të ndihmuar në blerjen e avionëve luftarakë F-16 për Ukrainën, ka njoftuar qeveria britanike.

Një zëdhënës i Downing Street tha se Sunak dhe Rutte “do të punojnë për ta ndërtuar një koalicion ndërkombëtar për t’i ofruar Ukrainës aftësitë ajrore luftarake, duke mbështetur gjithçka, duke filluar nga trajnimi deri te blerja e avionëve F-16”.

Ukraina zyrtare ka thënë e ka neutralizuar armën më të fuqishme hipersonike të Kremlinit, duke i rrëzuar gjashtë nga gjashtë raketat Kinzhal të lëshuara në Kiev gjatë një sulmi gjithëpërfshirës dhe “jashtëzakonisht intensiv” gjatë natës. Është hera e parë që Ukraina ka pretenduar se ka goditur një breshëri të tërë Kinzhals dhe nëse konfirmohet do ta demonstrojë efektivitetin e mbrojtjes ajrore të sapovendosur të Kievit të furnizuar nga perëndimi.

Sulmi në Kiev ishte një nga më të mëdhenjtë që nga pushtimi i vitit 2022 dhe pasoi udhëtimin tre-ditor të Volodymyr Zelenskiy në Evropë. Gjatë takimeve në Londër, Berlin, Paris dhe Romë, presidenti i Ukrainës siguroi premtime për më shumë ndihmë ushtarake, duke përfshirë dronët sulmues me rreze të gjatë nga Mbretëria e Bashkuar.

Udhëheqësit evropianë të mbledhur në Islandë për dy ditë u zotuan të kërkojnë llogari nga Rusia për luftën e saj kundër Ukrainës dhe zbuluan një mekanizëm për t’i gjurmuar humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga forcat ruse.

Forcat ukrainase kanë marrë përsëri rreth 20 km katrorë territor nga forcat ruse rreth qytetit lindor të Bakhmutit ditët e fundit, ka deklaruar zëvendësministrja ukrainase e mbrojtjes, Hanna Maliar përmes rrjetit social Telegram duke shtuar se forcat ruse kishin avancuar “disi” në vetë qytetin e Bakhmutit dhe se luftimet e ashpra po vazhdojnë edhe tutje.

Kreu i Gjykatës së Lartë të Ukrainës, Vsevolod Kniaziev, është arrestuar si pjesë e hetimit më të madh të ryshfetit në historinë e Ukrainës. Policia arrestoi Knaiziev si pjesë e një hetimi për ryshfet prej 2.7 milion dollarë, ndërkohë që Kievi zyrtar po i ndjek masat kundër korrupsionit të kërkuara për integrim më të ngushtë me BE.

Gjashtë liderë afrikanë planifikojnë të udhëtojnë në Rusi dhe Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur” për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën, ka deklaruar presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa. Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, kishin “ranë dakord t’i prisnin misionin dhe krerët e shteteve afrikane, si në Moskë ashtu edhe në Kiev”, thotë Ramaphosa.

Një projekt-ligj që i ndalon importet e uraniumit rus në SHBA mori vrull të martën duke miratuar një komitet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA. Pas psuhtimit ushtarak rus të Ukrainës, SHBA-ja ndaloi importet e naftës së saj dhe vendosi një kufizim çmimi me vendet e tjera perëndimore për eksportet e naftës së papërpunuar dhe të naftës, por jo uraniumit nga deti.

Moska zyrtare ka thënë është ende e pavendosur për zgjatjen e marrëveshjes së drithit të Detit të Zi me Ukrainën, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, marrëveshje kjo që do të skadojë më 18 maj. “Ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me pjesën tonë të marrëveshjes … tani ne duhet ta marrim një vendim,” u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala