Ilustrim

Mbi 500 ankesa dhe apele deri tani në PZAP për zgjedhjet e 14 shkurtit

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe deri më tani janë paraqitur gjithsej 524 ankesa dhe apele.

Prej tyre, ky institucion ka pranuar 124 ankesa për thyerjen e heshtjes zgjedhore.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura për KALLXO.com kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.

“Ju informoj së në PZAP gjatë gjithë procesit zgjedhor deri më tani janë paraqitur gjithsej 524 ankesa dhe apele, prej tyre ka pranuar 124 ankesa për thyerjen e heshtjes zgjedhore. Ankesat janë në procedurë të shqyrtimit dhe lidhur me këto ankesa PZAP do të vendosë brenda afatit ligjor”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Deskut, ankesa kanë paraqitur individë,  subjekte politike, organizata, kandidatë për deputetë, anëtarë të komisioneve komunale të zgjedhjeve, anëtarë të këshillave të vendvotimeve, qytetarë, pronarë të kompanive, vëzhgues etj.

Të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga të cilat sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.