Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbështetja e radhës për LVV – Partia Socialiste e Belgjikës 

Pas Partisë Social Demokrate të Zvicrës dhe Partisë Social Demokrate të Gjermanisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka pranuar një mbështetje tjetër të rëndësishme ndërkombëtare. Partia Socialiste e Belgjikës, me bazë ne Bruksel, ia ka adresuar një letër të hapur mbështetëse kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti.

Në letrën e nënshkruar nga Kryetari i Partisë Socialiste belge, z. Paul Magnette, shkruan:

“Në ngjashmëri me Partinë Socialiste belge, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbron një drejtësi shoqërore për të gjithë, i kushton vëmendje të posaçme sektorëve themelorë të shtetit që janë shëndetësia, arsimimi dhe mirëqenia në punë. Po ashtu, ajo mbron barazinë gjinore dhe në përgjithësi, përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithave e të gjithëve”.

Partia Socialiste e Belgjikës deklaron se:

“Partia Socialiste belge u kërkon qeverive të ndryshme belge, në dakordësi me Bashkimin Evropian, të vendosin një lidhje të qëndrueshme në terren dhe me ndërmjetësinë e ambasadës, në mënyrë që të garantohen zgjedhje të ndershme dhe transparente. Vullneti i zgjedhëseve duhet respektuar. Duhet pamundësuar pavlefshmëria e letrave të votimit mbi bazë gabimesh formale të rreme”.

Në fund të letrës, Kryetari Magnette i uron kryetarit Kurti sukses në zgjedhjet e 14 shkurtit “për t’i ofruar Kosovës dhe popullatës së saj, një qeverisje të organizuar rreth mbrojtjes së një Shteti të së drejtës, të demokracisë, të një drejtësie sociale progresive, të mbrojtjes së interesave të të gjithave e të gjithëve dhe të barazisë së secilës e të secilit”.