Aktakuza për 500 mijë eurot e projektit të BE-së, dëshmon në Gjykatë ish-sekretari i Ministrisë së Integrimeve

Demush Shasha, ish-sekretari në Ministrinë e Integrimit Evropian ka dëshmuar në rastin ku po dyshohet se janë shkaktuar dëm prej 500 mijë eurosh buxhetit të BE-së

Demush Shasha u dëgjua si dëshmitar në seancën e djeshme ndaj Albina Nurës e cila po akuzohet se i ka shkaktuar dëm material prej 500 mijë eurosh buxhetit të BE-së.

E akuzuara Nura, sipas prokurorisë prej vitit 2013 deri më 2017 ka angazhuar punonjës në cilësinë e ekspertëve jokyçë, në kundërshtim me kushtet e kontratës.

Prokuroria pretendon se e akuzuara në cilësinë e menaxheres së njërit nga projektet e Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit si anëtare e komisionit, ka vlerësuar me pikë të larta ofertën e njërit nga bizneset me pronar Rron Dalladakun.

Dëshmitari nuk mban mend se Albina Nura ka insistuar ndonjëherë për zgjedhje të ndonjë eksperti të caktuar.

“Procedurat janë rigoroze të verifikimit dhe miratimit të ekspertëve” – tha dëshmitari Shasha.

Albina Nura, sipas tij nuk ka pasur mundësi të ndikojë në zgjedhjen e ekspertëve sipas dëshirës së saj, për shkak të burokracisë që BE-ja zbaton. Ai tha se e mira e kësaj burokracie është që nuk lihet monopol vendimmarrës në zgjedhje të ekspertëve.

Shasha deklaroi për trupin gjykues se në cilësinë e zyrtarit më të lartë shërbyes në Ministrinë e Integrimeve nuk ka pasur vërejtje ndaj projektit në të cilin ka marrë pjesë e pandehura.

“Gjatë tërë kohës kemi qenë të kënaqur me projektin e zyrës së BE-së”- tha ai në seancën e djeshme gjatë dëshmisë.

Sipas Shashës, çdo procedurë që i përket zbatimit të fondeve dhe në përgjithësi nga fillimi i diskutimeve për “addendumin”, caktimi i ekspertëve e deri tek mbarimi i projektit është zbatuar legjislacioni i BE-së.

“Kosova është vend që zbaton sistemin e centralizuar të menaxhimit të fondeve, për faktin se vendi ynë ende nuk është i akredituar për menaxhim të fondeve, dhe një gjë e tillë e bën vetëm BE-ja” – tha ai.

Dëshmitari foli edhe për rëndësinë e projektit duke shpjeguar në mënyrë kronologjike si ka ardhur deri te zbatimi i këtij projekti.

Ai tha se BE-ja alokon 1 miliardë euro, lidhur me procesin e Berlinit për t’u zbatuar agjenda e interkonektivitetit.

Për ta bërë një gjë të tillë, ai tha se vendosen kushte.

Sipas tij, Kosova është është dashur të miratojë Programin Nacional të investimeve infrastrukturore në mënyrë që të ketë qasje në fondet e BE-së.

Mbrojtja e të pandehurës në seancë, avokati Kujtim Kërveshi u shpreh se përfaqësuesi i palës së dëmtuar po fsheh dokumente të cilat janë akte të vërtetuara me nënshkrim, të cilat janë autentike dhe do t’i ndihmonin procesit gjyqësor.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 30 Maj, në orën 09:30, ku është planifikuar të dëgjohet dëshmitari i dytë i propozuar nga pala mbrojtëse e të pandehurës.

Prokuroria Speciale në maj të vitit 2021 ngriti aktakuzë kundër Albina Nurës, të cilën e akuzon se i ka tejkaluar kompetencat e veta si zyrtare vendore për reforma të administratës publike në Zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë dhe i ka shkaktuar buxhetit të BE-së dëm material prej 500 mijë euro.

Prokuroria akuzon Nurën se këtë dëm e ka shkaktuar me qëllim të përfitimit material për vete gjatë implementimit të tenderit – Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Nura për tenderin në fjalë ka përgatitur në mënyrë të kundërligjshme dokumentacion për të rritur vlerën e tenderit për 500 mijë euro, duke e çuar vlerën e tenderit nga afro 2 milionë euro në afro 2 milionë e 500 mijë.

E akuzuara ia kishte vazhduar atij angazhimin si ekspert junior edhe për 205 ditë shtesë, duke i mundësuar përfitim të 76 mijë e 950 eurove.

Prokuroria pretendon se përkundër faktit se e akuzuara ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte anëtar në konzorciumin e projektit që ajo e vlerësoi dhe e menaxhoi, nuk e deklaroi këtë si konflikt të interesit tek menaxhmenti i lartë, ashtu siç kërkohej e as faktin se e njëjta në disa kompani që kanë fituar projekte në vlera me mijëra euro ishte aksionare dhe Prokuroria me këto veprime e akuzon Nurën se ka kryer veprën – konflikt i interesit.