Dëshmia e ish-drejtorit të Zyrës për Planifkim Strategjik në gjykimin ndaj të akuzuarës për keqpërdorimin e fondeve të BE-së

Në seancën ndaj të akuzuarës Albina Nura, e cila dyshohet për veprën penale “Konflikt Interesi” sot u dëgjua dëshmitari Qemajl Murmullakaj, ish-Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik.

Murmullakaj të mërkurën, 31.05.2023, para trupit gjykues të përbërë nga Vesel Ismaili kryetar, anëtarë Kujtim Krasniqi dhe Fatime Dërmaku, deklaroi se të akuzuarën Nura e njeh nga puna.

Vlera prej gjysmë milioni euro sa mban mend ai kishte ardhur në bazë të një shtese. Lidhur më këtë shtesë ai tha se nuk ka njohuri për impaktin financiar që ka pasur kjo shtesë e vlerës.

Në pozitën e Drejtorit të Zyrës për Planifkim Strategjik (ZPS) tha se ka qenë nga viti 2014 deri më 23 Nëntor të vitit 2017.

Ai u shpreh se ka njohuri të ndryshme rreth projektit për të cilin akuzohet Nura.

“Ne kemi qenë përfitues primar të këtij projekti si ZPS” – tha Murmullakaj në seancën e sotme.

Një ndër objektivat e projektit ka qenë hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.

Dëshmitari deklaroi se e ka prezantuar këtë Strategji në vitin 2016 para kabinetit qeveritar përfshirë Ministrit të Financave Avdullah Hoti dhe udhëheqësve të BE-së.

Lidhur me rezultatet e projektit në fjalë ai u shpreh se: “Nga prizmi i asaj kohe ka qenë hera e parë që po udhëhiqja një departament aq të rëndësishëm, dhe mund të mos kem ditur më mirë, kurse nga prizmi i sotëm, Qeveria e Kosovës  sot e ka vazhdimësinë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe ka një sistem të unifikuar”.

Në pyetjet e prokurorit special Dren Paca, zëvendësim në pjesën e parë i prokurorit Naim Abazi, ai tha se nuk ka njohuri kush dhe si janë intervistuar ekspertët ngase vetë nuk ka marrë pjesë në to por as nuk ka njohuri kush ka marrë.

Ai gjithashtu u shpreh se nuk ka njohuri si organizohet puna brenda zyrës së BE-së.

“Ky program ka fillu si iniciativë e BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit. ZPS-ja e udhëhiqte pjesën e reformave strukturore të këtij procesi dhe ndërlidhet me aktivitet e pa planifikuara që është pjesë e shtesës” – tha ai për trupin gjykues.

Prokurori special Paca ia diktoi disa nga ekspertët nga të cilët disa nga ta dëshmitari i njohu.
Bëhet fjalë për Ruzhdi Halilin, Bernard Nika dhe Genc Salihu. Për këta dëshmitari tha se i njeh por nuk e di se a ushtrojnë funksione nga Administrata Publike.

Murmullakaj u shpreh se zyra përfituese nuk bën vlerësim të eksperteve por produktin e tyre.

“Vlerësimin e kontratës e bën BE-ja me një proces që quhet “ROM” ku ndër të tjera intervistohet edhe përfituesi. Psh për SKZH kanë qenë mbi 2 – 3 mijë faqe analiza që prodhojnë produktin final.  E imja ka qenë të vlerësoj imputet që janë dorëzu nga projekti si nga rrafshi i analizës” – u shpreh dëshmitari.

Avokati mbrojtës i të akuzuarës Albina Nura, Kujtim Kërveshi paraqiti propozim për përjashtim të provave të papranueshme disa nga provat e paraqitura nga prokurori special, por i njëjti propozim u hedh poshtë nga trupi gjykues.

Prokuroria pretendon se e akuzuara në cilësinë e menaxheres së njërit nga projektet e Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit si anëtare e komisionit, ka vlerësuar me pikë të larta ofertën e njërit nga bizneset me pronar Rron Dalladakun.

E akuzuara ia kishte vazhduar atij angazhimin si ekspert junior edhe për 205 ditë shtesë, duke i mundësuar përfitim të 76 mijë e 950 eurove.

Prokuroria pretendon se përkundër faktit se e akuzuara ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte anëtar në konzorciumin e projektit që ajo e vlerësoi dhe e menaxhoi, nuk e deklaroi këtë si konflikt të interesit te menaxhmenti i lartë ashtu siç kërkohej e as faktin se e njëjta në disa kompani që kanë fituar projekte në vlera me mijëra euro ishte aksionare dhe Prokuroria me këto veprime e akuzon Nurën se ka kryer veprën – konflikt i interesit.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 11.07.2023 ora 13:15.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK