
Seanca ndaj të akuzuarës Albina Nura - Foto: Jetlira Buzhala - KALLXO.com
Dosja ndaj të akuzuarës për dëmtimin e buxhetit të BE-së rreth 500 mijë euro, shtyhet seanca
Qemajl Murmullakaj ishte paraparë të dëgjohet sot si dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarës Albina Nura, avokat Kujtim Kërveshi.
Prokuroria Speciale në maj të vitit 2021 ngriti aktakuzë kundër Albina Nurës, të cilën e akuzon se i ka tejkaluar kompetencat e veta si zyrtare vendore për reforma të administratës publike në Zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë dhe i ka shkaktuar buxhetit të BE-së dëm material prej 500 mijë euro.
Në seancën e sotme kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili tha se prezencën e tij e kishte konfirmuar përmes telefonit dhe dëshmitari i kishte premtuar se do të vinte, por i njëjti sot nuk u paraqit në gjykatë.
Ky dëshmitar ishte caktuar qysh prej seancës së kaluar të mbajtur më 13 maj të këtij viti. Me dëshmitarin kontaktoi sot përmes telefonit avokati Kërveshi, për ta konfirmuar nëse ai do të vinte apo jo. Sipas avokatit, dëshmitari tha nuk kishte qenë i njoftuar se seanca do të mbahej sot.
“Dëshmitari për sot e ka të pamundur të paraqitet, vetëm nesër tha se mundet”- u shpreh Kërveshi për trupin gjykues pas bisedës telefonike me dëshmitarin Murmullakaj.
Me koordinimin e palëve në procedurë, u vendos që seanca të shtyhet për ditën e nesërme, 31 maj ora 09:30.
Kujtojmë që Prokuroria Speciale në maj të vitit 2021 ngriti aktakuzë kundër Albina Nurës.
Nura akuzohet se i ka tejkaluar kompetencat e veta si zyrtare vendore për reforma të administratës publike në Zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë dhe i ka shkaktuar buxhetit të BE-së dëm material prej 500 mijë euro.
Prokuroria akuzon Nurën se këtë dëm e ka shkaktuar me qëllim të përfitimit material për vete gjatë implementimit të tenderit – Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Nura për tenderin në fjalë ka përgatitur në mënyrë të kundërligjshme dokumentacion për të rritur vlerën e tenderit për 500 mijë euro, duke e çuar vlerën e tenderit nga afro 2 milionë euro në afro 2 milionë e 500 mijë.
Aktakuza thotë se e akuzuara Nura prej vitit 2013 deri më 2017 ka angazhuar punonjës në cilësinë e ekspertëve jokyçë, në kundërshtim me kushtet e kontratës.
Prokuroria pretendon se e akuzuara në cilësinë e menaxheres së njërit nga projektet e Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit si anëtare e komisionit, ka vlerësuar me pikë të larta ofertën e njërit nga bizneset me pronar Rron Dalladakun.
E akuzuara ia kishte vazhduar atij angazhimin si ekspert junior edhe për 205 ditë shtesë, duke i mundësuar përfitim të 76 mijë e 950 eurove.
Prokuroria pretendon se përkundër faktit se e akuzuara ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte anëtar në konzorciumin e projektit që ajo e vlerësoi dhe e menaxhoi, nuk e deklaroi këtë si konflikt të interesit te menaxhmenti i lartë ashtu siç kërkohej e as faktin se e njëjta në disa kompani që kanë fituar projekte në vlera me mijëra euro ishte aksionare dhe Prokuroria me këto veprime e akuzon Nurën se ka kryer veprën – konflikt i interesit.
Raportimet e KALLXO.com nga procesi gjyqësor ndaj të akuzuarës Albina Nura mund t`i lexoni duke klikuar në LINK