Manxhuka: Vetëvendosje nuk qëndron prapa organizimeve të tjera përveç peticionit

Rreth 45 mijë nënshkrime pretendohet se janë mbledhur në peticionin online të Lëvizjes Vetëvendosje për kërkesën e zgjedhjeve të reja.

Sipas zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, përveç peticionit, kjo parti nuk qëndron mbrapa organizimeve të tjera që po qarkullojnë në rrjetet sociale.

Tutje Manxhuka ka shtuar se LVV do t’i njoftojë me kohë qytetarët në lidhje me çdo organizim nga kjo parti.

“Prej sot jemi vendosur në çdo qytet të Kosovës në mbledhje të nënshkrimeve për peticionin që kërkesë të vetme ka zgjedhjet e reja. Nga peticioni online tashmë janë bërë mbi 45 mijë nënshkrime ndërkohë që ka një fluks të madh të qytetarëve që po nënshkruajnë fizikisht. Në anë tjetër ne kemi parë shumë organizime e ‘event’-e nëpër rrjetet sociale për protestë dhe jemi duke marrë shumë pyetje nga qytetarë të shumtë, por ashtu siç jemi deklaruar edhe ditë më parë ne nuk qëndrojmë prapa këtyre organizimeve. Po ashtu, ne i sigurojmë qytetarët dhe anëtarët se në kohë do të njoftohen për çdo organizim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nuk mund të ketë qeveri përkundër vullnetit të popullit e pa zgjedhje, pa legjitimitet e përkundër Kushtetutës. Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë”, ka shkruar ai.