‘Manifesta 14’ prezantoi rezultatet e anketës me qytetarë pak muaj para fillimit të saj në Prishtinë

Ekipi i “Manifestës 14”, e cila këtë vit mbahet në Prishtinë, ka prezantuar të martën në mbrëmje (15.02.2022) rezultatet e anketës publike dhe konsultimeve të realizuar me qytetarë të Prishtinës dhe qyteteve përreth, Fushë – Kosovës e Graçanicës.

Rezultatet e anketës të prezantuara në kuadër të “Forumit të hapur”, nga ekipi i “Manifestës” janë fokusuar në interesimin e qytetarëve rreth aktiviteteve kulturore, pjesëmarrja, preferencave për të kaluar kohën e lirë.

Sipas, rezultateve të anketës, vendet më të preferuara nga qytetarët kryeqytetas janë qendrat tregtare. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre, s’kanë shprehur ndonjë interesim për ngjarjet kulturore.

Drejtoresha e “Manifestës” Hedwig Fijen i ka quajtur si shumë të rëndësishme sugjerimet dhe të dhënat nga anketa me qytetarët, për mbarëvajtjen e “Manifestës” së Prishtinës.

Sipas saj, konsultimet janë pjesë e programit para-bienal të “Manifestës”.

“E ardhmja e një qyteti mund të krijohet me imagjinatën e qytetarëve. ‘Manifesta’ fillon me një hulumtim me qëllim që qytetarëve t`u operohet një perspektivë për qytetin”, ka thënë ajo.

Fijen tha se programi i “Manifëstës 14” do të publikohet në fund të marsit apo fillim të prillit dhe se Prishtina do të vërshohet nga gazetarët dhe turistët e huaj.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se “Manifesta 14” do të ndikojë në transforimin urban të Prishtinë përmes ideve dhe asaj çfarë ofron kjo bienale.

“Ne si komunë po studiojmë mundësitë dhe po bëhemi gati për të pritur një fluks të madh të vizitorëve gjatë mbajtjes së ‘Manifestës 14’”, ka thënë Rama.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Shpresojmë se të gjeturat e anketimeve dhe konsultimeve do të gjejnë zgjidhje për problemet, sfidat dhe politikat për zhvillimin e gjithmbarshëm kulturor”, ka thënë Çeku.

“Manifesta 14” në Prishtinë, do të mbahet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022.

Qëllimi i “Manifesta 14” është të prodhojë projekte të qëndrueshme me një trashëgimi afatgjate të bashkë-krijuar me infrastrukturën vendore, përveç ndërhyrjeve të artit bashkëkohor në të gjithë qytetin e Prishtinës.

“Manifesta”, bienalja evropiane nomade, është themeluar në vitin 1990. Organizohet çdo dy vjet, në vende të ndryshme evropiane.