Flamuri i SHBA-së dhe ai i Ukrainës duke valuar në Kiev.

Gjysma e rusëve pajtohen me përdorimin e forcës ushtarake për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s

 

Ndërkohë që bota pret të shohë nëse Rusia do ta pushtojë Ukrainën, një sondazh i ri ekskluziv i të dyja vendeve, Rusisë dhe Ukrainës, për CNN zbulon se dy herë më shumë rusë besojnë se do të ishte e drejtë që Moska ta përdorte forcën ushtarake për ta penguar Kievin që të bashkohet me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), gjë që sipas tyre, do të ishte gabim.

Një në çdo dy rusë (50%) thotë se do të ishte e drejtë, ndërsa vetëm një e katërta (25%) thonë se do të ishte e gabuar. Qereku tjetër (25%) janë të pasigurt, sipas sondazhit në fjalë.

Por sondazhi zbuloi gjithashtu se më shumë rusë mendojnë se do të ishte i gabuar sesa i drejtë përdorimi i forcës ushtarake “për ta ribashkuar Rusinë dhe Ukrainën” – dy vende me një histori të gjatë dhe të ndërlikuar të ndërthurjes mes vete.

Është një rezultat i ngushtë, por 43% e rusëve thanë se përdorimi i forcës ushtarake kundër Ukrainës për t’u bashkuar me Rusinë do të ishte i gabuar, ndërsa 36% thanë se do të ishte i drejtë. (Pjesa tjetër e të respondentëve thanë se nuk e dinin nëse do të ishte e drejtë apo e gabuar).

Ndoshta çuditërisht, shumica e njerëzve në Ukrainë nuk pajtohen me përdorimin e forcës kundër tyre. Shtatë nga 10 të anketuar atje thanë se do të ishte gabim që Rusia të përdorte forcën ushtarake për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO (70%) ose për të ribashkuar dy vendet (73%).

Një në dy rusë mendon se përdorimi i forcës është i justifikuar për të penguar Ukrainën nga anëtarësimi në NATO.

Ne pyetëm: A do të ishte e drejtë që Rusia ta përdorte forcën ushtarake për ta parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO?

Dhe shumica e ukrainasve e kundërshtojnë pohimin e presidentit rus Vladimir Putin në një fjalim të hënën se vendi i tyre nuk ka bazë historike dhe është në thelb një krijesë e Bashkimit Sovjetik.

Në të gjithë Ukrainën dhe në të gjitha moshat, shumica e ukrainasve thonë se nuk janë “një popull” me rusët dhe se të dy vendet nuk duhet të jenë një shtet i përbashkët.

Sondazhi, me më shumë se 1,000 respondentë në secilin vend, u krye përmes internetit nga 7 deri më 15 shkurt, përpara fjalimit të Putinit të hënën dhe njohjes nga Moska të dy republikave separatiste në Ukrainë.

Shumë në Rusi besojnë se vendi i tyre do të kërcënohej rrënjësisht nga zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në Ukrainë, sipas udhëheqësit dhe gazetarit veteran të televizionit rus dhe sovjetik, Vladimir Pozner.

“Kjo ka të bëjë me pikëpamjen se, nëse Ukraina bëhet anëtare e NATO-s dhe nëse forcat e NATO-s vendosen në derë të Rusisë, kjo do të përbënte një kërcënim ekzistencial dhe për këtë arsye nuk mund të lejohet”, tha Pozner për CNN përmes emailit.

Orysia Lutsevych, udhëheqëse e Forumit të Ukrainës në qendrën e mendimit Chatham House në Londër, foli për një pamje më të errët të perspektivës ruse.

“Rusia e sotme ka një sindromë të perandorive në rënie”, tha ajo për CNN me email.

“Humbja e këtyre trojeve paraqitet si ‘padrejtësi historike’ që duhet korrigjuar, edhe me dhunë. Ukraina shihet si një xhevahir i kurorës që ‘po vidhet nga NATO’. Duke e kuptuar frikësimin e vjetër sovjetik të SHBA-së dhe NATO-s, rusët besojnë se është një bllok agresiv që është pengesë e unitetit Rusi-Ukrainë”.

Frika nga goditja e parë

Ndryshe nga paralajmërimet perëndimore se presidenti rus Vladimir Putin po i vendos forcat për një sulm ndaj fqinjit perëndimor të vendit, vetëm 13% e rusëve mendojnë se Kremlini ka të ngjarë të fillojë veprime ushtarake ndaj Ukrainës.

Shumica e rusëve gjithashtu nuk presin një sulm ukrainas në vendin e tyre – vetëm 31% e rusëve thanë se kjo ishte e mundshme. Në fakt, dy nga tre (65%) presin një përfundim paqësor të tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Arsyeja pse 75% e rusëve mendojnë se Rusia nuk do ta pushtojë Ukrainën është thjesht për shkak të asaj që lexojnë në gazetat e tyre dhe shohin në televizorin e tyre. Në thelb nuk ka histeri, asnjë trumbetim lufte, një mesazh të qëndrueshëm se ne nuk duam një luftë dhe nuk do ta fillojmë atë”, tha Pozner.

Pozner tha se rusët nuk janë as naivë dhe as injorantë ndaj paralajmërimeve të liderëve perëndimorë se Putin po e konsideron pushtimin e Ukrainës.

Ai shpjegoi: “Rusët e dinë se çfarë thonë liderët perëndimorë. Deklaratat e tyre janë publikuar gjerësisht në media. Ndjenja e përgjithshme është se Perëndimi në fakt dëshiron që Rusia ta sulmojë Ukrainën, sepse kjo do të ishte në avantazhin e Perëndimit, po e nxit Rusinë ta sulmojë”.

Por Pozner argumentoi se rusët e kuptojnë se një pushtim i Ukrainës do të ishte i kushtueshëm.

“Ata janë gjithashtu të mendimit se, ndërkohë që Ukraina nuk mund t’i rezistonte një pushtimi gjithëpërfshirës rus, Rusia do të humbiste shumë më tepër nga kjo sesa do të fitonte çdo fitore ushtarake”, tha ai.

Shumica e rusëve presin një përfundim paqësor të konfliktit – ukrainasit janë të pavendosur.

Pyetja jonë ishte: A janë njëri prej këtyre skenarëve të mundur apo të pamundur… Rusia nis aksionin ushtarak ndaj Ukrainës në të ardhmen e afërt

Megjithatë, sipas Lutsevych, përhapja në Rusi e pikëpamjes se vendi i tyre nuk do ta pushtonte Ukrainën mund të ilustrohet “se si mediat dhe dezinformatat e kontrolluara nga shteti rus po formojnë një realitet alternativ për popullatën ruse”.

“Brenda Rusisë, Perëndimi paraqitet si një keqbërës që po abuzon me Ukrainën për ta minuar madhështinë e Rusisë. Në rast të agresionit ushtarak rus, Rusia do të portretizohet si një e tillë duke luftuar kundër forcave të SHBA-së dhe NATO-s dhe jo duke i vrarë vëllezërit e saj sllavë”, tha Lutsevych.

Ndërkohë, më pak ukrainas sesa rusë besojnë se do të ketë një përfundim paqësor të tensioneve – vetëm 43% e presin këtë.

Por ukrainasit janë të ndarë rreth mundësisë që Rusia ta nisë një luftë – 42% e presin këtë, ndërsa 45% mendojnë se nuk ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë. (13% e mbetur thonë se nuk e dinë.)

Më shumë se gjysma e rusëve (57%) dhe tre të katërtat e ukrainasve (77%) mendojnë se Ukraina nuk ka gjasa të nisë veprime ushtarake ndaj Rusisë në të ardhmen e afërt, me vetëm 31% në Rusi dhe 13% në Ukrainë që thonë se mendojnë se ka të ngjarë që Ukraina do ta nxisë konfliktin ushtarak.

Rusët dhe ukrainasit as nuk bien dakord nëse ka forca ushtarake ruse në zonat lindore të Ukrainës të kontrolluara nga separatistët, të njohura si Donbas: tre të katërtat e ukrainasve (73%) besojnë se atje ka trupa ruse, në krahasim me një në pesë Rusë (19%).

Rusët më të rinj kishin më shumë gjasa se popullsia e përgjithshme – me 28% – prej tyre duke deklaruar se trupat ruse ishin në Donbas.

Sondazhi u përfundua përpara njoftimit publik nga ana e Putinit se Rusia do ti dërgonte ata që ai i quajti “paqeruajtës” në rajone.

Rusia kishte pohuar për vite se nuk kishte ushtarë në terren atje, por zyrtarët e SHBA-së, NATO-s dhe ukrainas thonë se qeveria ruse i furnizon separatistët, u siguron atyre mbështetje këshillimore dhe inteligjencë dhe inkorporon oficerët e saj në radhët e tyre.

Vëllezër apo jo?

Në thelb të krizës së menjëhershme, rusët dhe ukrainasit kanë pikëpamje dukshëm të ndryshme për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popullsive të tyre.

Dy nga tre (64%) rusë thonë se rusët dhe ukrainasit janë një popull, një pozicion i mësuar në epokën sovjetike.

Dy të tretat e rusëve mendojnë për veten dhe ukrainasit si “një popull” – megjithatë as një e treta e ukrainasve nuk pajtohen me këtë.

Pyetja jonë ishte: A i shihni rusët dhe ukrainasit si “një popull?”

Edhe përpara fjalimit të tij të hënën, Putin kishte shtyrë pikëpamjen se të dy popujt janë një, veçanërisht në një ese tendencioze verën e kaluar.

Ai pretendoi se “ideja e popullit ukrainas si një komb i ndarë nga rusët” u formulua nga intelektualë që në shekullin e 19-të, duke shpërfillur historinë komplekse të kombeve duke pohuar: “Meqenëse nuk kishte asnjë bazë historike – dhe nuk mund të kishte, përfundimet u vërtetuan nga të gjitha llojet e sajimeve”.

Putin argumentoi se “politika e lokalizimit” e epokës sovjetike i vuri në pah dallimet rajonale, duke nënkuptuar se ato dallime kishin pak bazë historike.

“Prandaj, Ukraina moderne është tërësisht produkt i epokës sovjetike”, këmbënguli ai.

Historiani Timothy Snyder nga Universiteti i Yale e hodhi poshtë të gjithë argumentin e Putinit jashtë kontrollit.

“Problemi me esenë e Putinit është se është kaq krejtësisht i gabuar në gjithçka, saqë është e vështirë të dihet se ku të fillohet”, i tha ai CNN përmes një emailil, duke përmendur një shembull të përdorimit të termit “Ukrainë” qysh më parë në vitin 1648.

Nëse ka ndonjë gjë, tha ai, është ideja e një shteti-komb rus që është një konstrukt modern, jo ai i Ukrainës.

“Rusia nuk ishte një ide kombëtare në shekullin e 19-të. Ishte një ide perandorake. I futur kontrabandë në ese është nocioni se ekzistonte një komb rus, në kuptimin modern, kundër të cilit Ukraina u përkufizua. Por nuk kishte një komb të tillë rus në shekullin e 19-të”, tha ai.

Pavarësisht nga debati historik, ukrainasit priren ta mendojnë veten si një popull më vete, zbuloi sondazhi i CNN.

Pak më shumë se një e katërta (28%) e njerëzve në Ukrainë thonë se rusët dhe ukrainasit janë një popull, ndërsa dy të tretat (66%) thonë se nuk janë – një pasqyrë e pamjes nga përtej kufirit.

Snyder argumentoi se në këtë temë, pikëpamja ukrainase duhet të mbizotërojë.

“Zëri i njerëzve më të vegjël ka më shumë rëndësi. Një vend më i madh që pretendon një vend më të vogël quhet imperializëm”, i tha ai CNN përmes emailit.

“Rusët priren të thonë se ukrainasit dhe rusët janë një popull sepse (1) ata në përgjithësi kanë pasur pak kontakt me Ukrainën dhe (2) kjo është ajo që thotë presidenti i tyre dhe shumë e ngjashme me linjën sovjetike”, tha Snyder.

Asnjë rajon i Ukrainës dhe asnjë grupmoshë nuk ka një shumicë ku të anketuarit thonë se rusët dhe ukrainasit janë një popull.

Edhe në Ukrainën lindore, e cila kufizohet me Rusinë dhe kontrollohet pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Rusia, më pak se gjysma (45%) e të anketuarve thanë se pajtohen që rusët dhe ukrainasit janë një popull – një rezultat shumë më i ulët se në Rusi.

Asnjë rajon në Ukrainë nuk thotë se Ukraina dhe Rusia duhet të jenë një vend i përbashkët.

Ukraina Lindore ka një përqindje më të lartë të njerëzve (45%) që e shohin veten si “një popull” me rusët në krahasim me Ukrainën perëndimore, por edhe atje, nuk është një pikëpamje e shumicës si në Rusi (64%).

Kufijtë bashkëkohorë dhe një ndarje gjeneratash

Edhe pse rusët priren të thonë se rusët dhe ukrainasit janë një popull, shumica e rusëve (54%) thonë se duhet të jenë dy shtete – edhe pse një e treta (34%) thonë se duhet të jenë një vend. 12% -shi i mbetur thonë se nuk e dinë.

Ukrainasit në masë dërrmuese mendojnë se Rusia dhe Ukraina duhet të jenë dy shtete të veçanta, me 85% që thonë kështu, 9% thonë se duhet të jenë një shtet dhe 6% janë përgjigjur se nuk e dinin.

Rusët kanë më shumë gjasa se ukrainasit të mbështesin ndryshimin e kufijve të dy vendeve, në mënyrë që rajonet në Ukrainë ku njerëzit mund të “ndihen” më rusë, mund të bëhen zyrtarisht pjesë e Rusisë.

Prapë, pamjet përtej kufirit janë pasqyrë e njëra-tjetrës: dy të tretat (68%) e rusëve do të mbështesnin ndryshimin e kufijve dhe 8% do ta kundërshtonin atë, ndërsa dy të tretat (64%) e ukrainasve e kundërshtojnë atë dhe 13% e mbështesin atë.

As shumica e rusëve dhe as ukrainasve nuk thonë se të dy shtetet duhet të jenë një i vetëm, mirëpo një në tre rusë mendon kështu.

Pyetja jonë ishte: A duhet Rusia dhe Ukraina të jenë një shtet i vetëm?

Rusët dhe ukrainasit ndryshojnë gjithashtu në pikëpamjet e tyre për Bashkimin Sovjetik.

Shtatë nga 10 rusë (71%) thonë se Bashkimi Sovjetik ishte një gjë pozitive, ndërsa një në 10 (9%) thonë se ishte negative, ndërsa ukrainasit ishin të ndarë në mënyrë të barabartë: 34% thanë se ishte pozitive dhe 35% thanë negative. Pjesa e mbetur në të dyja vendet ishin neutral ose të pavendosur lidhur me këtë.

Ekziston një ndarje gjeneratash për çështjen në Ukrainë, ku 41% e njerëzve të moshës 55 vjeç e lart – aq të rritur sa për ta kujtuar Bashkimin Sovjetik – e shohin atë si një gjë pozitive. Vetëm një e katërta (23%) e 18 deri në 34-vjeçarëve në Ukrainë – njerëz të lindur pas rënies së BRSS, ose fëmijë shumë të vegjël kur u shpërbë në vitin 1991 – e shohin atë si pozitive.

Pikëpamjet e ndryshme të BRSS burojnë nga marrëdhëniet e ndryshme me të, tha Snyder.

“Udhëheqja ruse tenton ta përcaktojë Rusinë si shtet pasardhës të Bashkimit Sovjetik. Më shumë se ukrainasit, rusët e kanë të vështirë ta përcaktojnë një histori pa Bashkimin Sovjetik në qendër”, tha historiani i Yale.

“Rusët priren ta pranojnë se Bashkimi Sovjetik kishte politika terrori, por besojnë se kostot e tyre u përballuan në mënyrë të barabartë në të gjithë BRSS. Në Ukrainë, njerëzit priren të besojnë se Holodomori i viteve 1932-1933, një pamjaftueshmëri ushqimi (famine) politike e krijuar nga Stalini, ishte në shënjestër veçanërisht ndaj vendit të tyre”.

Një shumicë dërmuese e rusëve kanë një pikëpamje pozitive për të kaluarën sovjetike, ndërsa ukrainasit janë të ndarë për këtë.

Pyetja jonë ishte: A e konsideroni Bashkimin Sovjetik si një gjë pozitive apo negative?

Shqetësimet e përbashkëta

Pavarësisht hendekut të gjerë në pikëpamjet e tyre për njëri-tjetrin, rusët dhe ukrainasit vërtet disa çështje i shikojnë në prizma të ngjashme sy për sy në disa tema të ngushta.

Duke pasur parasysh një listë me nëntë karakteristika, rusët dhe ukrainasit priren të dakordohen se cilat prej tyre i mishëronin Putini dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky – me disa dallime të dukshme.

“E fortë” dhe “vendimtare” ishin përgjigjet e dyta dhe të treta më të njohura për Putinin si nga rusët ashtu edhe nga ukrainasit. Zgjedhja numër një ishte rrënjësisht e ndryshme: rusët zgjodhën “i  zgjuar”, ndërsa ukrainasit zgjodhën “i rrezikshëm”.

Shumica e ukrainasve zgjodhën vetëm “miqësorë” dhe “të zgjuar” si përshkrime të presidentit të tyre, me rreth 40% që zgjodhën gjithashtu “pragmatikë” dhe “përgjegjës”. Ndërkohë, rusët nuk e renditën Zelenskyn lart për asnjërën nga karakteristikat, me një të tretën (35%) – ngjashëm me vetë ukrainasit (32%) – që e përshkruan atë si “të rrezikshëm”.

Opinionet ndaheshin ashpër për presidentin amerikan Joe Biden. Përshkrimet më të zakonshme të ukrainasve për Bidenin ishin “i zgjuar”, “i fortë” dhe “përgjegjës”, ndërsa shumica e rusëve nuk e vlerësuan atë në asnjë nga karakteristikat. Gjysma (47%) e rusëve e quajtën Bidenin “të rrezikshëm”, ashtu si një e treta (32%) e ukrainasve.

Të dyja vendet e shohin Putinin si “të fortë” dhe “vendimtar” – por ukrainasit gjithashtu e konsiderojnë atë si “të rrezikshëm”.

Pyetja jonë ishte: A e mishëron ky politikan secilën nga karakteristikat e mëposhtme?

Shumica në të dyja vendet (57% e rusëve dhe 61% e ukrainasve) e përshkruajnë veten si optimistë për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre, ndërsa afërsisht një e treta e rusëve dhe ukrainasve (37% dhe 32% respektivisht) e përshkruajnë veten si pesimistë./CNN