Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Kosovarët shprehen pro anëtarësimit në NATO

Një matje e opinionit publik e realizuar nga “UBO Consulting” tregoi se 95.1 për qind e kosovareve janë përgjigjur me po në pyetjen se, a duhet Kosova të anëtarësohet në NATO.

Pro, të anketuarit u përgjigjen edhe për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në pyetjen se, a duhet Kosova të anëtarësohet në BE, 93.9 për qind e të anketuarve u përgjigjen me po.

Në këtë pyetësor morën pjesë 1065 qytetarë, të të gjitha etnive në Kosovë.

“UBO Consulting, marrë parasysh zhvilimet e fundit në botë, rajon dhe vend, ka vendosur që të bëjë disa pyetje aktuale për të parë disponimin e opinionit lidhur me temat e ndryshme. Duket se vazhdon të ekzistojë një disponim i lartë i qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin e “UBO Consulting”.

“95.1% e të anketuarve në pyetjen “A duhet të anëtarësohet Kosova në NATO” janë përgjigjur me po, 4% jo ndërsa 0.9% “Nuk e di”. Ngjashëm, në pyetjen se “A duhet të anëtarësohet Kosova në BE”, 93.9% e qytetarëve janë përgjigjur për po, 5.2% jo dhe 0.9% nuk e di”, vijon njoftimi.

Sipas komunikatës, tek shqiptarët e anketuar, 99.4 për qind janë përgjigjur pro anëtarësimit në NATO, 0.4 për qind kundër dhe 0.2 për qind “nuk e di”.

“Ndërsa tek serbët, asnjë nuk është përgjigjur pro, 86% kundër dhe 14% “nuk e di”. Minoritetet tjera janë përgjigjur 90.7% pro anëtarësimit në NATO, 4.7% kundër dhe 4.7% nuk e di”, thekson njoftimi.

Në anën tjetër, sa i përket anëtarësimit në BE, sipas etnive, shqiptarët janë përgjigjur me 98.3 për qind pro anëtarësimit, 1.5 për qind kundër dhe 0.2 për qind kanë abstenuar.

“Serbët janë përgjigjur në mënyrë identike si për anëtarësimin në NATO, asnjë nuk është përgjigjur pro anëtarësimit në BE, 86 për qind kundër dhe 14 për qind nuk e di. Ndërkaq minoritetet tjera janë përgjigjur 90.5 për qind pro anëtarësimit në BE, 7.1 për qind kundër dhe 2.4 për qind nuk e di”, njofton komunikata.

Në fund, janë dhënë edhe detajet mbi metodologjinë e përdorur në realizmin e kësaj ankete.

Përzgjedhja e amvisërisë duke shfrytëzuar metodën sistematike të rastësisë, si dhe zhvillimi i anketës me personin i cili e ka ditëlindjen e parë më të afërt i moshës mbi 18 vjet. Pyetësori është realizuar me 1065 të anketuar. Pyetësori është realizuar nga data 7 mars deri më 15 mars 2022 në 38 komuna të Kosovës dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95% me marzhë të gabimit prej +-3 pikë të përqindjes.