Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – Foto: Vjosa Osmani/ Facebook

Bie kënaqshmëria e qytetarëve për parinë shtetërore

Një anketë e realizuar në vjeshtën e vitit të kaluar tregon se kënaqshmëria ndaj institucioneve qendrore të Kosovës ka një rënie krahasuar me verën e vitit të kaluar.

Rënie është vërejtur edhe për prijësit e këtyre institucioneve, kryekuvendarit, Glauk Konfufca, presidentes, Vjosa Osmani e kryeministrit, Albin Kurti, në krahasim me një anketë të zhvilluar verën e vitit 2021.

Të dhënat janë bërë publike në një raport të publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP.

“Niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit kapi vlerën 47.6%, çka përbën një ulje prej 11.5 pikë përqindjeje nga anketa e majit 2021 kur kjo vlerë ishte 59.1%”, thuhet në raportin e Pulsit Publik të UNDP-së.

“Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 53.2% (59.5% në maj 2021), ndërsa me punën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është 55.5% (59.2% në maj 2021)”, thuhet tutje në raport.

Kënaqshmëri më të ulët ka shënuar edhe shefja e shtetit, Vjosa Osmani.

“Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kapi vlerën prej 55.2%, krahasuar me shkallën e kënaqshmërisë prej 63.7% të regjistruar në maj 2021”, thekson raporti.

Tabela e knaqëshmërisë ndër vite për institucionet qendrore dhe prirësit e tyre, Burimi: UNDP

Por, kosovarët janë shprehur të kënaqur me drejtimin politik të vendit krahasuar me vitet e kaluara.

“Përqindja e të anketuarve që janë shumë të kënaqur dhe të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës është rritur për 6 pikë përqindjeje (30.7%) krahasuar me anketën e majit 2021 (24.7%) dhe paraqet nivelin më të lartë të kënaqshmërisë të regjistruar ndonjëherë nga anketat e Pulsit Publik”, thekson raporti.

Kjo paraqet një rritje domethënëse krahasuar me 13.4% në dhjetor 2020 dhe 10.6% në prill 2020.

Metodologjia

Kjo anketë është realizuar nga 20 tetori deri më 4 nëntor të vitit 2021 ndërsa janë anketuar 1 mijë e 306 persona nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë 88% shqiptarë të Kosovës, 6% serbë të Kosovës dhe 6% pjesëtarë të komuniteteve tjera të Kosovës.

Mostra përfshiu mostër të njëjtë të meshkujve dhe femrave në të gjitha komunat e Kosovës, duke mbuluar zonat urbane dhe ato rurale.