Anëtari i Komisionit për Simbolet e Kosovës në kohën e Pavarësisë, Ramë Manaj. Foto: KALLXO.com.
Manaj: Flamuri i Kosovës ishte zgjedhja më e pranueshme në rrethanat e kohës
Kur Kosova po bëhej shtet, ajo duhej të zgjidhte edhe identitetin e vet vizual. Jo një flamur emocionesh, por një flamur i pranueshëm për të gjithë. Kriteret e vendosura, nuk e lejuan një flamur me tipare kombëtare e që respekton dëshirat dhe ndjesitë e shqiptarëve, por një që kalonte filtrat ndërkombëtarë dhe ishte i pranueshëm për të gjitha etnitetet që jetojnë në Kosovë.
Kështu e kujton procesin anëtari i Komisionit për Simbole në kohën e Pavarësisë së Kosovës, Ramë Manaj. Sidoqoftë, duke e kujtuar atëkohë me kritika, ai tash ka besimin që flamuri ka arritur të pranohet nga qytetarët në Kosovë dhe të zë vend në arenën ndërkombëtare.
“Ai (flamuri i Kosovës) simbolizon shtetin. Nuk është flamuri kombëtar. Flamuri kombëtar është tjetër. Në rrethanat e asaj kohe ishte zgjedhja më e mirë, e pranueshme edhe brenda edhe jashtë”- tha Manaj në një intervistë për KALLXO.com.
Para se të vinte te flamuri, Manaj kujton rrugëtimin e vështirë politik. Pas bombardimeve të NATO-s dhe Rezolutës 1244, Kosova ishte nën një lloj “protektorati” pa afat të caktuar. Pas trazirave të marsit 2004, ai kujton formimin e Ekipit të Unitetit në vitet 2005, 2006 dhe 2007 për të realizuar negociata me Serbinë me ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare.
“Unë personalisht mendoj se politika kombëtare dhe intelektuale e Kosovës, dy momente i ka dëshmuar me një rezonim të lartë patriotik: unitetin e treguar në Rambuje dhe unitetin në negociatat e Vjenës”- kujton Manaj.
Manaj tregon se konkursi për flamurin, stemën dhe himnin u hap më 13 qershor 2007. Ishte një garë ndërkombëtare me një afat 15-ditor, ku mbërritën mbi 900 propozime. Megjithatë, rregullat ishin të qarta dhe të panegociueshme: pa shqiponjë, pa ngjyrat kuqezi dhe pa elemente të flamurit serb.
“Janë përjashtuar ngjyra e kuqe, ngjyra e zezë dhe shqiponja është dashur të përzgjidhen vetëm punimet që plotësonin kriteret” – shpjegon ai.
Bashkësia ndërkombëtare kërkonte që shteti dhe simbolika e tij të reflektonin një karakter multietnik.
“Ne kemi pasur dy probleme kushtimisht: Do duhej të jetë i pranuar edhe prej minoriteteve këtu, etniteteve jo-shqiptare, e në veçanti prej bashkësisë ndërkombëtare”- kujton ai.
Manaj tregon se kishte oferta edhe për flamurin dardan, punime me emrin Dardania, apo me mburojë e spirale, por ato nuk mund të kalonin filtrat ndërkombëtarë.
Nga qindra ide, puna e komisionit u bë teknike, duke selektuar vetëm ato që plotësonin kriteret. Në fund mbetën tri variante që u dërguan në Kuvend, dhe u miratua dizajni i Muhamer Ibrahimit. Flamuri nuk tregonte histori lufte, por një projekt shteti.
“Flamuri që është aprovuar është institucionalisht edhe i përdorur edhe i respektuar gjithsesi: me tre ngjyra. Ngjyra e kaltër reflekton thjesht stabilitet, ardhmëri; ngjyra e artë që ka hartën e Kosovës, reflekton vlerë dhe qëndrueshmëri; dhe gjashtë yjet e bardha reflektojnë praninë e etniteteve: shqiptarë, serbë, turq, boshnjak, goran edhe romë”- detajon Manaj.
Flamuri u bë publik në mënyrë ceremoniale më 17 shkurt 2008, pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë. Manaj kujton solemnitetin e atij momenti.
“Unë besoj për shumicën e njerëzve, sidomos njerëzit që thjesht kanë refleksion shtetëror, ka qenë moment i jashtëzakonshëm, i paharrueshëm sepse kemi pasur dhe kemi vetëdijen se ai simbolizon shtetin”- tregon Manaj.
Lidhur me akuzat për shpallje të njëanshme të Pavarësisë së Kosovës, ai shton se “Shpallja gjithmonë është njëansshme, nuk shpallin dy. Megjithëse në rastin e Kosovës mendoj që është rasti më i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare”.
Manaj është i vetëdijshëm se flamuri fillimisht u prit ftohtë dhe me kritika se “nuk ka histori”. Ai pranon se kritikët mund të kenë pasur të drejtë për aspektin emocional.
“Me rëndësi është që të kemi shtetin për ta simbolizuar edhe me një flamur të tillë, i cili fillimisht mund të mos jetë dukur i pranueshëm dhe i kënaqëshëm, sepse kemi emocionet tona historike me shumë të drejtë. Por, limitet nuk kanë mundësuar të respektohen emocionet tona. Por, popullit i ka interesuar të ketë shtet”- shton ai.
Sot, ai sheh se simboli është konsoliduar dhe ka vend në arenën ndërkombëtare.
“Ky është flamuri që po konsolidohet si simbol i shtetit të Kosovës. Në ato rrethana ishte zgjidhja më e mirë”- thotë ai.
Përtej debatit për simbolet, për Manajn ajo që mbetet thelbësore është vetë akti i Pavarësisë.
“Të drejtën, jo vetëm çështja e simboleve, po ajo çka është më relevante është shpallja e Pavarësisë që përndryshe ka qenë ëndërr e gjeneratave, që shumëkush ka shkuar me merakun që s’e pa ç’ndodh me Kosovën”- tregon Manaj.
Për Manajn, shpallja e Pavarësisë është “unikat”. Edhe pse për flamurin ka pasur kritika, ai konsideron se ka arritur të jetë i pranueshëm edhe brenda edhe jashtë Kosovës.
Ai përfundon duke thënë se kjo mbetet periudha më e rëndësishme historike pas shumë sakrificave, dhe se shteti po ecën përpara me “subjektivitet të plotë ndërkombëtar”.
Prej asaj dite që Kosova u kurorëzua shtet, Kosovën e kanë njohur 121 shtete; është anëtarësuar në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar; ka themeluar dhe konsoliduar institucionet e saj; ka lirinë e lëvizjes; ka Forcën e Sigurisë, dhe shumë suksese të tjera.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës. Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.
Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit.
Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.
Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.
Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.
Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.